Edicioni i pestë i “Big Brother Albania” do të kurorëzojë sot një fitues. Nata finale do të jetë një spektakël ndryshe nga çdo herë tjetër, ndërsa 5 finalistët, Genta, Françeska, Liami dhe Arbri po përjetojnë ethet e çmimit të madh prej 100 milionësh


Genta: Do të pranonit po të na jepnin nga 20 milionë secilit?


Teksa diskutojnë për çmimin e madh, Genta u thotë banorëve se si do të vepronin nëse “Vëllai i Madh” do t’i vinte para një zgjedhjeje: ose 20 milionë secili, ose të gjitha njëri. Arbri, Ermali dhe Liami thonë se do të ishte mirë edhe sikur secili prej tyre të merrte nga 20 milionë, ndërsa Françeska shprehet se i do të gjitha për vete, duke ironizuar Arbrin që ka thënë se është i sigurt se do të fitojë.


Liami: Ermali e Françi po i shtojnë pikë strategjisë sime


Liami dhe Genta ulen e bisedojnë për Arbrin, ku ajo shprehet se i vjen keq për Arbrin, pasi të gjithë e sulmojnë. Liami përgjigjet se Genta e ka gabim që mendon kështu, por ajo shton se këtë mendim e ka nga Françeska, e cila e ngacmon vazhdimisht. Liami thotë se Arbri ua imponon vetë sjelljen njerëzve të tjerë, e Genta shprehet se ajo nuk e ngacmon. Në atë moment afrohet Arbri, e Liami ndërron temë menjëherë duke filluar të këndojë. Liami më pas komenton Ermalin e Françeskën e thotë se po të kishin ndenjur ashtu siç po rrinë tani, të bashkuar e më afër njëri-tjetrit, do të kishin fituar më shumë pikë. Genta përgjigjet se ata kanë menduar se do të ishte më e drejtë të rrinin veç gjatë ditës. Liami shprehet se sjellja e çiftit tani i pëlqen, pasi strategjisë që ai ka zgjedhur, i jep pikë, e gjithashtu thotë se ai ia ka vënë në dukje gabimet që ata kanë bërë.


Genta: Secili nga 20 milionë apo njëri të gjitha?


Arbri ngacmon Gentën për historinë e saj të dashurisë me Rubensin, por ajo nuk flet shumë e i kërkon që të mos diskutojnë për këtë gjë. Më pas Genta e çon bisedën te çmimi i madh. Ajo pyet banorët: “Çfarë do të bëni nëse ‘Vëllai i Madh’ thotë se po të hapni zarfin me emrin e fituesit tani do të merrni secili nga 20 milionë lekë të vjetra, ose prisni ditën e shtunë që çmimin e madh ta marrë njëri prej nesh?”. Arbri i përgjigjet Gentës se ai do të zgjidhte versionin e parë, pra që të merrnin secili nga 20 milionë lekë. Kjo ka mjaftuar që Françeska t’i kundërvihet përsëri Arbrit duke e ironizuar. Ajo i thotë se përse ai zgjedh këtë mundësi në një kohë që është shprehur se ka një siguri të madhe se do të jetë pikërisht ai fituesi i këtij edicioni. “Po ç’ne mo Arbër ti sikur i doje të gjitha për vete?!” dhe Arbri i përgjigjet: “Po t’i jap ca ty se më dhimbsesh”. Ermali e Liami ndajnë mendimin se edhe nëse do të merrnin nga 20 milionë do të ishte mirë, ndërsa Françeska thotë se i do të gjitha për vete dhe ironizon Arbrin.


Ermali e Liami bëjnë muzikë me enë kuzhine


Françeska, Arbri e Genta rrinë shtrirë dhe mundohen që të qetësohen, por Ermali dhe Liami nuk bëjnë të njëjtën gjë. Ata kërkojnë që të gjejnë mënyra të ndryshme për t’u argëtuar. Kështu e nisin duke kërcyer në mënyrë qesharake, por banorët e tjerë nuk bashkohen me ata të dy e më pas vendosin të luajnë me shpata. Ermalit i lind ideja që të përdorin enët e kuzhinës për mburojë. Por edhe kjo lojë nuk zgjat shumë. Më pas ata vendosin që të bëjnë muzikë me enët e kuzhinës dhe në këtë mënyrë bëjnë zhurmë dhe mund të ndalojnë që të tjerët të mos flenë. Të dy fillojnë t’u bien enëve të kuzhinës dhe Ermali i thur këngë Gentës. Françeska, nga ana tjetër, u kërkon që të mos vazhdojnë më, sepse po bëjnë shumë zhurmë.


Banorët në rol si aktorë turq; momente gazmore në shtëpi


Liami dhe Arbri flasin në gjuhën turke, duke bërë shaka e duke imituar aktorët turq, ndërsa në shakanë e tyre përfshijnë edhe pjesën tjetër të banorëve. Ata trillojnë skenarin e një filmi dhe secili luan rolin e tij, pasi shkojnë në dhomën e gjumit dhe kanë futur në rol edhe pjesën tjetër të banorëve, të cilët qeshin me ekzekutimin tyre dhe pas çdo batute të dy banorëve. Françeska është duke i bërë masazh Ermalit në krevat, ndërsa “Vëllai i Madh” vendos në sfond këngën “Macarena” dhe me vendosjen e saj banorët dalin në kopsht, ku fillojnë ta kërcejnë të gjithë së bashku. Më vonë humori dhe batutat mes banorëve vazhdojnë sërish. Liami vizaton me laps mustaqe dhe fillon të imitojë Hitlerin edhe me veprime, ndërsa banorët qeshin teksa e shikojnë. Pastaj edhe Ermali, Françeska dhe Genta futen në rol e kështu të pestë banorët aktrojnë, në bazë të një historie që e kanë trilluar vetë.


Genta mes çiftit Ermal-Françi


Françeska e Ermali qëndrojnë në dhomën e gjumit për një kohë të gjatë, duke u puthur e përkëdhelur. Pas pak çastesh, Genta shkon pranë tyre dhe ata e marrin, e fusin në mes tyre, duke krijuar kështu një panoramë gazmore. Genta largohet, e çifti vazhdon të qëndrojë pranë duke shprehur afeksion e ndjenja për njëri-tjetrin. Pas pak çastesh, teksa të gjithë banorët janë të shpërndarë nëpër shtëpi duke kryer aktivitete të ndryshme, fillon kënga “Macarena” e të gjithë banorët mblidhen me shpejtësi në oborr e ia nisin nga kërcimi.


Liami: Jam i kënaqur nga eksperienca në BB, shpresoj të mos kem zhgënjyer asnjë


Arbri e Liami qëndrojnë në oborr duke biseduar për qëndrimin e tyre në BB, ku tregojnë anët pozitive, si dhe vështirësitë që kanë hasur. Arbri shprehet se në BB është i vetmi vend, ku i flet dikujt për mirë, e ai e merr për keq, e Liami përgjigjet se çdo gjë është reciproke, paçka se ndikon dhe stresi i të qenët i mbyllur brenda një shtëpie. Liami shprehet se dy persona të cilët i kanë pëlqyer më së shumti në BB janë Gjoni e Gerta, ndërsa Ermalin e Françeskën do t’i shohë jashtë më mirë. Arbri thotë se Ermalin nuk ka nevojë ta njohë jashtë, pasi beson që është real si aty, si jashtë. Ai shton se Erioni i ka pëlqyer shumë, e Liami thotë se nuk ka dashur ta zbulojë Erionin, pasi e ndiente që ishte i mbyllur në vetvete. Liami shprehet se shpreson të mos ketë zhgënjyer askënd jashtë me sjelljen e tij, por vetë është i kënaqur me atë që ka bërë në BB.


Arbri, Françeskës: Je naive


Arbri bisedon me Gentën e Françeskën e shprehet se në dy muaj ai nuk ka debatuar as me Gentën, as me Françeskën. Genta ia ndërpret fjalën e thotë se që javën e dytë kanë debatuar me Arbrin, e Françeska shton se me të ka debatuar që ditën e dytë. Arbri u përgjigjet vajzave se nëse ka debatuar që në fillim, tani i ka lënë mënjanë debatet e Françeska shprehet se për të nuk ka lidhje fakti nëse janë ditët e fundit e nuk duhet debatuar, pasi nëse ka gjë për të debatuar, mund ta bëjë edhe ditën e fundit. Françeska i thotë Arbrit se këtë javë nuk e ka parë të rrijë me katër banorët e tjerë për t’u argëtuar, por ka ndenjur mënjanë. Arbri i përgjigjet se nuk ka dashur të bëhet i lodhur e i bezdisshëm për njerëzit, pasi njerëzit e kanë njohur tashmë se si di të mbrohet, e Françeska thotë se ky është problemi, pasi ai ka ndryshuar shumë. Liami ndërhyn në mbrojtje të Arbrit e i thotë Françeskës se këtë javë ajo ka ndenjur më shumë se javët e tjera në intimitet me Ermalin, e ajo pohon. Liami shprehet se në këtë rast dhe Françeska ka ndryshuar e secili është për vete. Teksa Françeska i thotë se ka një shpjegim për këtë, Liami përgjigjet se edhe Arbri duhet ta ketë një shpjegim, kështu që ajo nuk ka përse t’ia vërë në dukje faktin që ka ndryshuar. Arbri i thotë Françeskës se ajo është shumë naive me mendimet e saj e të dy përfundojnë në debat.