Personazhet e njohur të ekranit kanë reaguar përmes postimeve në rrjetet sociale në lidhje me aktgjykimin që u dha sot ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Këngëtari i njohur, Luiz Ejli, shkruan në “Instastory” se sot ‘foli gjykata dhe nesër do të flasë apeli’. Ai shton se mbi të dyja qëndron diçka që nuk gjykohet në asnjë sallë gjyqi ‘historia’.
Postimi i plotë e Luiz Ejllit:
Sot foli gjykata, nesër do të flasë apeli. Por mbi të dyja qëndron diçka që nuk gjykohet në asnjë sallë gjyqi:
HISTORIA!
Një vendim mund të shkruhet me bojë, por historia shkruhet me gjak, me sakrificë dhe me kujtesën e një populli.
Respekt për drejtësinë dhe për vendimet e institucioneve, por edhe besimin se procesi juridik nuk mbaron këtu. Shpresa mbetet tek Apeli. Kosova nuk është vetëm një vendim, UÇK-ja nuk është vetëm një dosje dhe historia e një populli nuk mbyllet me një seancë gjyqësor.
Le të flasë drejtësia, le të flasë apeli, por mbi të gjitha, le të flasë koha.
Një gjykatë jep një vendim, apeli jep një tjetër mundësi, por vetëm historia jep fjalën e fundit. Le të flasë ligji, le të flasë e vërteta, le të flasë historia.
Gjykatat gjykojnë njerëzit, historia gjykon epokat dhe koha gjykon të vërtetën. Sepse disa emra mund të dënohen nga një gjykatë, por asnjë gjykatë nuk mund të dënojë një popull dhe ti detyrojnë të harrojnë atë që kanë përjetuar.

Ky vendim ka sjellë reagime të shumta dhe të forta, ku ndër ta është dhe këngëtarja e njohur, Elvana Gjata. Përmes një postimi në “Instastory”, Elvana e cilëson këtë vendim si padrejtësinë më të madhe të bërë ndaj një populli që luftoi për mbijetesë! Ajo shton se sot dhemb për Kosovën, për ata që dhanë jetën, për nënat që humbën fëmijët dhe për familjet që humbën gjithçka.
Reagimi i plotë i Elvana Gjatës:
“Kjo është pa-Drejtësia më e madhe e bërë ndaj një populli që luftoi për mbijetesën! Për të drejtën për të lindur e rritur fëmijët në tokën vet, në gjuhën e vet, me kulturën dhe zakonet e veta! MARRE!
Sot më dhemb Kosova. Më dhemb për ata që dhanë jetën, për nënat që humbën fëmijët, për familjet që humbën gjithçka dhe për një popull të tërë që luftoi jo për të marrë tokën e askujt, por për të mos u dëbuar nga e veta.
Liria e Kosovës nuk ishte dhuratë. U pagua shtrenjtë. Me jetë. Me gjak. Me dhimbje që ende sot jeton në mijëra familje. Historia e një populli nuk mund të rishkruhet duke harruar pse ai u detyrua të luftonte. UÇK-ja lindi nga nevoja për liri dhe mbijetesë. Kosova është e lirë. Dhe këtë të vërtetë nuk e dënon dot askush”.

Reagimi i Ylli Limanit:
Se di qysh e mban toka këtë padrejtësi! Qysh nuk shembet prej dhimbjes, kur çlirimtarët dënohen më rëndë se pushtuesit. Po dhemb heshtja e botës. Po dhemb pabarazia. Sot po mundohen me na bind që lufta për liri edhe pushtimi kanë peshën e njëjtë. Që ata që e mbrojtën shtëpinë e vet jon njësoj me ata që erdhën me tanka, djegën shtëpi, vranë e dënuan ni popull prej tokës së vet. Historia jonë nuk rishkruhet me ni aktgjykim. Lufta jonë nuk barazohet me krimet e Serbisë. Sot zemra e Kosovës është në Hagë. JO NË EMRIN TIM!

Reagimi i DJ Gimbos:
Vendimi i padrejtë në historinë e kombit shqiptar. Turp për gjykatën speciale.

Reagimi i Xhensila Myrtezajt:
Ky dënim ishte turpi më i madh që mund të ndodhte ndonjëherë. Liri për çlirimtarët.

Reagimi i Capital T:
Jo në emrin tim. Jo në emrin e popullit të Kosovës

