Një “letër dashurie për Michael Jackson”. Kështu e ka cilësuar Spike Lee, “Bad 25”, dokumentarin e tij mbi mbretin e popit, që do të prezantohet sot, (jashtë konkurrimit) në Festivalin e Venecias.
Në dokumentar tregohet procesi krijues i “Bad”, albumit të tretë si solist të mbretit të pop, i cili shiti 45 milionë kopje në të gjithë botën. Regjisori, i cili sot do të marrë çmimin Jaeger-LeCoultre Glory, ka treguar se “Bad 25” do tu tregohet dhe tre fëmijëve të Michael, të cilët duan të mësojnë sa më shumë për të atin.
“Jam rritur me Michael Jackson. Kur në vitin 1969 shkonte në televizion me Jackson 5, dëshiroja të isha si ai. I kisha prerë flokët si ai, por nuk dija të këndoja apo të kërceja. Ky film ka qenë një nga gjërat më të bukura të jetës sime”, ka thënë kineasti, i cili ka treguar gjatë dokumentarit punën e gjatë të Jackson për albumin, i cili përfaqësonte një sfidë të madhe, për faktin se disku i mëparshëm “Thriller”, u shit me mbi 100 milionë kopje, duke shënuar një rekord ende të pathyer.
“Një prej motiveve që më shtyu të realizojë Bad 25, ka qenë fakti se përqendrohej vetëm tek muzika. Në mes të thashethemeve që qarkullonin për Michael, shpesh herë gjenialiteti i tij në muzikë nuk merrte vlerësimin e duhur. Këtu arrihet të kuptohet gjaku, lotët dhe djersa, që është derdhur pas atyre kryeveprave. Michael nuk ishte kurrë i kënaqur, kërkonte të rritej vazhdimisht dhe të përmirësohej. Ai inspirohej nga të mëdhenjtë Bob Fosse a James Brown”, ka shpjeguar Lee.
1 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)