Sporti hungarez është tronditur nga vdekja e parakohshme e Miklos Dudas, ish-kampion bote dhe pjesëmarrës në Lojërat Olimpike të Londrës 2012, i cili u gjet i pajetë në banesën e tij në Budapest në moshën 34-vjeçare. Autoritetet deklaruan se nuk kishte shenja dhune apo aktiviteti kriminal. Megjithatë, zhvillime të reja kanë ndryshuar rrjedhën e çështjes. Autopsia ka zbuluar dëmtime që mund të çojnë në procedime penale, duke bërë që policia të nisë një hetim të thelluar.
Një punonjës i pallatit ku banonte sportisti ka dëshmuar se e kishte parë Dudasin dy ditë para vdekjes të gjakosur në shkallët e ndërtesës dhe duke u dukur i çorientuar. Sipas tij, sportisti i kishte thënë se ishte rrëzuar, përpara se të mbyllte derën e banesës. Ky dëshmitar është thirrur tashmë për të dhënë deklaratë zyrtare. Autoritetet po e hetojnë rastin si shkaktim dëmtimi trupor me pasojë vdekjen, ndërsa hetimet janë ende në fazë paraprake.
Miklos Dudas përfaqësoi Hungarinë në London Olympics, ku u rendit i gjashti në disiplinën K-1 200 metra. Ai arriti kulmin e karrierës në vitin 2014, kur fitoi medaljen e artë në Kampionatin Botëror në Rusi me ekipin e stafetës K-1 4×200 metra, si edhe disa medalje të tjera botërore dhe europiane. Karriera e tij u ndërpre nga një dënim 36-mujor pas një rasti dopingu në vitin 2015, ndërsa në vitin 2021 ai u tërhoq përfundimisht nga sporti elitar.


