I ftuar sot në emisionin “Big Brother Radio” ka qenë Stenaldo Mëhilli. Ish-banori që përfundoi rrugëtimin e tij mbrëmë në Big Brother VIP 5 pas një nominimi shumë të fortë ‘kokë më kokë’ me Mateon. Në Top Albania Radio ai zbuloi më shumë detaje nga eksperienca e tij brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri si dhe ka sqaruar disa nga situatat më të komentuara me banorët e tjerë.
Ai u ndal veçanërisht te mënyra si e përjetoi lojën dhe filozofia që do të donte të ndiqte brenda shtëpisë duke thënë se:
Unë nuk kam dashur që të bëj një Big Brother skemash sepse është përtej mundësive të mia njerëzore. Unë nuk jam një njeri skemash të mëdha dhe e kam thënë edhe prej fillimit fare. Nuk është ky lloji i Big Brother-it që dua të bëj unë. Doja që të bëja një Big Brother jete, ku secili i lejonte secilit të takohej dhe të njihej me njëri-tjetrin, të përballej, të flitej, të diskutohej, të dashurohej pse jo dhe të urrehej gjithashtu. Në fund doja që kur të çohesha ditën tjetër nga krevati të kisha një brengë për debatin e djeshëm. Të them të drejtën kjo thuajse nuk ndodhi kurrë. Unë mendoj se Big Brother-i që isha unë anashkaloi disa faza të rëndësishme.
Të futesh në një program ku thuajse çdokush me përjashtime shumë të vogla që janë më pak sesa gishtat e njërës dorë në numra, justifikohen pas fjalës “kjo është loja, në kuadër të lojës”, të qasesh me një vërtetësi dhe me një dinjitet dhe të luftosh për të bërë Big Brother-in tënd siç e koncepton ti dhe siç të përfaqëson ti dhe siç je ti këtu jashtë nuk është e lehtë.
