Ish-kampioni botëror i boksit, Ricky Hatton, dukej në formë gjatë stërvitjes së tij të fundit vetëm disa ditë para se të ndërronte jetë në moshën 46-vjeçare.

Hatton kishte publikuar në rrjetet sociale një video teksa stërvitej dhe ishte i gjithi i djersitur. Në këtë video, ai duket i shëndetshëm dhe me humor të mirë.

Kujtojmë se 46-vjeçari u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Manchester. Mediat e huaja shkruajnë se vdekja e tij nuk po trajtohet si e dyshimtë.

Ndërkohë analisti i boksit në BBC, Steve Bunce, e përshkroi vdekjen e Hatton si ‘jashtëzakonisht tronditëse’ dhe shtoi se ikona e boksit ‘ishte në një gjendje vërtet të mirë’.

“Ai ka pasur disa probleme. Dua të them, ai ka folur për problemet e tij të shëndetit mendor, ka folur për varësinë e tij. Por ai i ka trajtuar ato, është përballur dhe i ka zgjidhur ato”, tha Bunce.

Analisti shtoi se 46-vjeçari po përgatitej për një ndeshje dhe palestra ka qenë shpëtimi i tij.

Legjenda e boksit vdiq vetëm disa javë pasi kishte njoftuar rikthimin e tij në ring.