Një zbulim i rastësishëm i disa ditarëve të vjetër ka ndihmuar shkencëtarët në Zelandën e Re të zgjidhin një mister paleontologjik që kishte mbetur i pazbardhur për dekada. Gjithçka nisi kur studiuesit e Universitetit të Otagos po përpiqeshin të dokumentonin një fosil të rrallë detar, por nuk dispononin informacion të mjaftueshëm për vendin dhe kushtet e sakta ku ishte gjetur. Pa këto të dhëna, kërkimi shkencor nuk mund të përfundonte.

Situata ndryshoi në vitin 2023, kur djali i paleontologut Richard Köhler, i cili kishte ndërruar jetë vite më parë, gjeti rastësisht ditarët e vjetër të babait teksa po sistemonte sendet e tij personale. Pasi mësoi për studimin që po zhvillohej, ai ia dorëzoi universitetit materialet, duke u dhënë studiuesve informacionin që u mungonte.

Sipas shënimeve të Köhlerit, fosili ishte zbuluar në vitin 1999 në ishullin e largët Pitt. Ai kishte gjetur një peshk të fosilizuar të ruajtur në mënyrë të jashtëzakonshme brenda një shkëmbi. Fosili daton rreth 55 milionë vjet më parë dhe është aq mirë i konservuar sa dallohen qartë luspat dhe forma e pendëve.

Pas analizave të reja, shkencëtarët e klasifikuan krijesën si një specie të panjohur më parë, të quajtur Ikawaihere koehleri, në nder të zbuluesit të saj. Sipas ekspertëve, bëhet fjalë për peshkun e parë grabitqar me skelet kockor të dokumentuar nga ajo periudhë në territorin e Zelandës së Re. Shkencëtarët mbeten të habitur edhe nga gjendja e ruajtjes së fosilit.