Një studente 23-vjeçare në Iran është dënuar me vdekje për një postim në rrjetet sociale, të cilin autoritetet e kanë cilësuar si fyerje ndaj profetit Muhamed. Najmeh Amini ndodhet në burg në qytetin Mashhad. Sipas raportimeve të mediave, vendimi nuk është ende i formës së prerë dhe mund të apelohet në Gjykatën Supreme. Përveç dënimit me vdekje, e reja është dënuar edhe me 12 vjet, gjashtë muaj e një ditë burgim, nën akuzat për veprimtari kundër sigurisë kombëtare dhe propagandë kundër regjimit.
Amini u arrestua gjatë protestave të janarit. Muajin e kaluar, ajo u dërgoi një mesazh nga burgu organizatave ndërkombëtare, duke kërkuar ndihmë për rastin e saj, shkruan theguardian. “Nuk dua ta paraqes veten si heroinë. Dua vetëm një gjë: bëhuni zëri im”, deklaroi ajo, duke iu drejtuar Kombeve të Bashkuara, avokatëve dhe organizatave për të drejtat e njeriut.
Sipas gazetës iraniane Khorasan, studentja u deklaroi autoriteteve gjyqësore se e kishte shkruar postimin pasi kishte konsumuar kërpudha halucinogjene me miqtë e saj. Avokati i saj argumentoi se bëhej fjalë për një lapsus, por gjykatësi nuk e pranoi këtë mbrojtje. Sipas raportimit, ai vuri në pikëpyetje arsyetimin e saj, duke e pyetur pse nuk kishte fyer persona të tjerë nëse vërtet kishte qenë nën ndikimin e substancave.
Legjislacioni iranian parashikon dënimin me vdekje për fyerjen e profetit Muhamed, megjithëse ekzekutimet për këtë vepër janë të rralla. Rastet e fundit të njohura të ekzekutimeve për blasfemi në Iran u raportuan në vitin 2023, kur dy burra u ekzekutuan pas dënimeve për veprimtarinë e tyre në internet. Ndërkohë, organizatat për të drejtat e njeriut kanë ngritur shqetësime për përdorimin e dënimit me vdekje në Iran. Sipas organizatës Iran Human Rights, gjatë këtij viti janë ekzekutuar më shumë se 600 persona.



