Një studim i botuar në revistën Obstetrics and Gynecology analizoi mbi 18,100 lindje në Massachusetts të fëmijëve të lindur nga gra që u infektuan me COVID-19 që nga muajt e parë të pandemisë deri në një pjesë të vitit 2021. Fëmijët e lindur nga nëna që kishin kaluar infeksionin e Covid-19 gjatë shtatzënisë kishin një rrezik më të lartë për diagnozë autizmi dhe për probleme të tjera neurologjike, si vonesa në të folur dhe zhvillimin motorik, sipas studimit.
Autorët e studimit theksuan se, si studim vëzhgues, ai nuk provon se Covid-19 shkakton këto gjendje, por tregon një lidhje mes infektimit të nënës dhe rrezikut për zhvillime të tilla tek fëmijët. Sidoqoftë, rreziku i përgjithshëm mbetet shumë i ulët, tha Andrea G. Edlow, mjeke dhe profesoreshë në Shkollën Mjekësore të Harvardit. “Nuk është se çdo grua shtatzënë që kalon Covid-19 duhet të mendojë se fëmija i saj do të ketë autizëm. Rreziku absolut është shumë i vogël”, shpjegoi ajo.



