Një dentist i njohur në Australi është qëlluar për vdekje nga policia pasi sulmoi brutalisht dy gra në një ndërtesë apartamentesh në Sydney. 41-vjeçari Steven Lin hyri me forcë në apartamentin e një nëne me tre fëmijë, Chloe Paul, ndërsa ajo po punonte nga shtëpia dhe i kërkoi para. Ai e rrëzoi në dysheme, e mbyti dhe e goditi vazhdimisht.

Pak minuta më parë, ai kishte sulmuar edhe një grua tjetër në lavanderinë e përbashkët të ndërtesës, duke e plagosur në fytyrë me thikë. Chloe Paul arriti të rezistonte ndaj sulmit falë stërvitjes së saj në boks dhe ndërkohë telefonoi policinë. Dy oficerë mbërritën në vendngjarje dhe u përballën me sulmuesin.

Policia fillimisht përdori një armë elektrike për ta neutralizuar, por ai vazhdoi t’i kërcënonte me thikë, duke detyruar oficerët të qëllonin ndaj tij. Dy gratë e sulmuara pësuan plagë të rënda në fytyrë dhe kokë. Chloe Paul iu nënshtrua një operacioni pasi kishte thyer hundën gjatë sulmit.

Steven Lin ishte një dentist dhe autor i njohur për këshillat e tij mbi shëndetin dentar dhe ushqimin, me rreth 250 mijë ndjekës në Instagram. Në vitet e fundit, sipas familjarëve, ai kishte rënë në probleme serioze me drogën, përfshirë varësinë nga metamfetamina. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e sulmit që tronditi komunitetin në Sydney.