I ftuar në studion e “Lancio” në Top Albania Radio, ka qenë artisti Ardit Çuni, për të folur më shumë mbi hapat e tij të karrierës, projektet e fundit muzikore dhe jo vetëm…

Sa i plotësuar artistikisht ndihesh sot?

Ndihem i lumtur me çfarë kam bërë. Unë jam natyrë autokritike dhe sa herë arrij ndonjë sukses kam menduar që mund të bëj më mirë. Kjo më ka ndihmuar që të vazhdoj e të jem gjithmonë në rritje. Mendoj se publiku nuk e ka parë akoma porencialin tim të plotë si këngëtar, performues apo si artist. Kam akoma shumë zhanre të paeksploruara, kam akoma për të nxjerrë shumë këngë. Kam projekte për të cilat jam i lumtur, një nga ato është balda e fundit me Samantën. Por jam akoma duke parë, duke eksploruar dhe duke provuar gjëra të ndryshme. Dhe mendoj se kam akoma edhe një 5-vjeçar për ta eksploruar komplet dhe për ta shfaqur potencialin tim.

Si është procesi yt krijues?

Këngët që bëj vetë janë gjithmonë këngë që vijnë si pasojë e momenteve që po kaloj. Frymëzohem nga dhimbja, frymëzohem nga ndarja, frymëzohem nga dashuria, frymëzohem nga momente të bukura, frymëzohem dhe nga artistë të tjerë botëror. Frymëzohem nga ndjesitë e përditshme. Ka momente që nuk kam shkruar për një vit, sepse çdo gjë ka shkuar mirë. Zakonisht kur jam shumë mirë, nuk shkruaj.

Si erdhi bashkëpunimi me Samantën?

Ne kemi 10 vite miqësi, që në 2015, në kohën kur unë bëja një acoustic show dhe ftoja këngëtarë të ndryshëm. Samanta ka qenë e ftuara e dytë e emisionit që unë prezantoja dhe që nga atëherë ne jemi bërë shokë shumë të ngushtë dhe sot jemi pothuajse si familje. Njerëzit e afërt dhe fansat shkruanin shpesh duke pyetur se kur do bënim një bashkëpunim dhe sa herë postonim ndonjë Story duke kënduar bashkë, vokalet na rrinin shumë mirë dhe ne këtë gjë e dinim. Mesa duket erdhi momenti i duhur dhe erdhi shumë natyrshëm. Unë bëra një baladë dhe i shkruaj Samantës që kënga e duhur erdhi. Ndërkohë kemi edhe një këngë tjetër që nuk e di nëse do ta nxjerrim. Në momentin që unë do shkoja në Amerikë sepse Samanta jeton atje, i them që so xhirojmë por këngën nuk e kishim përfunduar, as refrenin dhe as tekstin, kishim vetëm një strofë. Pastaj e kemi bërë në shtëpinë e Samantës në New York dhe doli kënga. Di të të them që është një histori personale, e kam shkruar në momente  jo shumë të mira, për një person që ende e dua.

Çfarë vjen së shpejti nga ti?

Kam një super lajm për të dhënë. Jam i ftuar special në Eurovision në Vjenë në datën 13. Performoj në Eurovision Village, koncerti i madh që ata mbajnë çdo ditë jashtë arenës, në një nga sheshet kryesore të Vjenës, me audienca që arrijnë 10-15 mijë njerëz në shesh gjatë ditës. Performoj rreth 20 minuta. Përveç të tjerash nxjerr një bashkëpunim tjetër shumë interesant në fund të majit.