Lajmi i shumëpritur nga fansat e dyshes së artistëve. Selena Gomez dhe Benny Blanco u fejuan pas pak më shumë se një viti lidhje. Lajmin e lumtur e ka ndarë aktorja në profilin e saj në Instagram. Krahas një sërë fotografish, Selena shkroi:

Përgjithmonë fillon tani!

Në njërën prej tyre, ajo ka treguar nga afër një unazë ari me një diamant të bardhë në dorë. Postimi i saj u pëlqye nga miliona fansa vetëm në pak orë nga publikimi. Një numër i madh i të famshmëve e uruan gjithashtu me komente të ndryshme.

Këngëtarja e hitit “Wolves”, 32 vjeç, dhe Blanco, 36 vjeç, filluan të takoheshin në korrik të vitit 2023, por vendosën ta bënin publike romancën e tyre disa muaj më vonë, në dhjetor. Që nga ajo kohë, çifti ka ndarë me fansat momente të vogla nga jeta e tyre përmes rrjeteve sociale, një strategji që Gomez e konsideron të dobishme për ruajtjen e paqes së tyre. “Kur ndan disa fragmente nga jeta jote, njerëzit priren të jenë më pak kritikë,” shpjegoi ajo.

Pavarësisht se lidhja e tyre filloi së fundmi, Gomez dhe Blanco kanë një histori të gjatë miqësie. Dyshja ka punuar së bashku në këngën e suksesshme të vitit 2019, “I Can’t Get Enough,” me J. Balvin dhe Tainy, duke ndërtuar një marrëdhënie profesionale që tani është kthyer në një lidhje personale.

Selena Gomez së fundmi në një intervistë me Stephen Colbert në emisionin “The Late Show”, foli për marrëdhënien e saj me producentin Benny Blanco. Gjatë bisedës, Colbert e pyeti këngëtaren për ecurinë e lidhjes së tyre. “Ku po shkon kjo marrëdhënie?” e pyeti Colbert. Gomez iu përgjigj me një buzëqeshje: “Nuk jam e sigurt, por po kaloj shumë mirë.” Duke vazhduar bisedën, Colbert e drejtoi pyetjen te Benny Blanco, duke thënë me humor: “Benny, duhet të mendosh se je i veçantë. Dua të di cilat janë qëllimet e tua.”