Syzet inteligjente nuk janë më një risi, por versionet e fundit të fuqizuara nga inteligjenca artificiale po marrin një përdorim krejt tjetër dhe mjaft të diskutueshëm dhe shqetësues. Në Kinë, gjithnjë e më shumë studentë po i përdorin këto pajisje për të rritur shanset e tyre për të kaluar provimet… duke kopjuar në mënyrë pothuajse të padukshme.

Sipas një raporti të Rest of the World, syzet inteligjente të pajisura me modele të avancuara gjuhësore (AI) janë kthyer në një “trend” mes studentëve. Të pajisura me kamera dhe mikrofon, këto syze mund të skanojnë pyetjet e provimit dhe të shfaqin përgjigjet direkt në lente, përmes teknologjisë shumë të përparuar dhe pa rënë në sy.

Ndryshe nga modelet e para që ishin të mëdha dhe të pakëndshme, versionet moderne nga kompani si Xiaomi dhe Alibaba kanë dizajn elegant dhe janë pothuajse të padallueshme nga syzet e zakonshme. Edhe pse përdorimi i tyre është ndaluar në provime të rëndësishme kombëtare dhe në testet për administratën publike, ato vazhdojnë të përdoren në provimet e zakonshme në shkollë.

Një eksperiment i realizuar nga Hong Kong University of Science and Technology tregoi se një student që përdorte syze inteligjente me një model AI si ChatGPT arriti të renditej në pesë vendet e para nga 100 pjesëmarrës, me një mesatare prej 92.5 pikësh nga 100. Ndërkohë, mesatarja e përgjithshme e studentëve ishte vetëm 72 pikë.

Megjithëse çmimi i këtyre syzeve varion nga 270 deri në mbi 1000 dollarë, shumë studentë po i shmangen kostos duke i marrë me qira. Platforma të tregut të dorës së dytë ofrojnë dhjetëra opsione me qira, me çmime nga 6 deri në 12 dollarë në ditë.

Një studente nga provinca Hebei, e identifikuar si Vivian, ka pranuar se i përdor syzet inteligjente për të kopjuar në çdo lëndë ku ndjen se mund të mos e kalojë provimin madje i jep edhe me qira studentëve të tjerë. Me ndihmën e një telekomande të vogël që duket si unazë, përdoruesit mund të skanojnë tekstet dhe pyetjet, të cilat përpunohen nga AI dhe përgjigjet shfaqen menjëherë në lente, pa u vënë re nga të tjerët.