Komediani i njohur turk Deniz Göktaş është arrestuar nga autoritetet në Stamboll, pasi dyshohet për “nxitje të urrejtjes dhe armiqësisë” si dhe për fyerje të presidentit Recep Tayyip Erdoğan gjatë një shfaqjeje stand-up të publikuar në YouTube.

Sipas njoftimeve zyrtare, Göktaş u ndalua në aeroportin kryesor të Stambollit teksa po kthehej nga pushimet dhe më pas gjykata vendosi masën e paraburgimit pas marrjes në pyetje nga prokurorët. Çështja lidhet me pjesë të performancës së tij ku përmenden presidenti Erdogan dhe tema fetare, ndërsa videoja e publikuar më 24 qershor ka arritur miliona shikime.

Zyra e Kryeprokurorit Publik të Stambollit bëri me dije se janë regjistruar 185 ankesa për përmbajtjen e videos. Ndërkohë, autoritetet fetare në Turqi kanë kritikuar publikisht shfaqjen, duke theksuar se tallja me vlerat fetare nën petkun e humorit dëmton edukimin dhe shoqërinë.

Në dëshminë e tij, komediani ka mohuar qëllimin për të ofenduar besimtarët apo presidentin, duke deklaruar se shfaqja është interpretuar prej vitesh në qytete të ndryshme dhe se përdorimi i termave kritikë ishte pjesë e satirës politike.

Arrestimi ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe protesta të mbështetësve të tij, ndërsa rasti shihet si pjesë e një vale më të gjerë masash ndaj kritikëve të qeverisë në Turqi.