Taylor Swift ka angazhuar ekipin e saj ligjor pas padisë së ngritur nga artistja nga Las Vegasi, Maren Wade, e cila e akuzon për shkelje të markës tregtare lidhur me albumin “The Life Of A Showgirl”.

Sipas raportimeve të Daily Mail, Wade pretendon se prej vitesh ka përdorur konceptin “Confessions of a Showgirl” për projektet dhe përmbajtjet e saj artistike, ndaj kërkon dëmshpërblim financiar dhe ndalimin e përdorimit të titullit nga Swift.

Megjithatë, avokatët e këngëtares i kanë hedhur poshtë akuzat, duke e cilësuar padinë “absurde” dhe “të pabazuar”. Sipas tyre, Wade po përpiqet të përfitojë nga fama dhe suksesi i Swift për të promovuar markën e saj personale.

Ekipi ligjor i artistes pretendon gjithashtu se Wade filloi të përdorte më shpesh emrin dhe përmbajtje të lidhura me albumin vetëm pasi projekti i Swift u publikua.

Në dokumentet ligjore përmendet edhe fakti se Wade dyshohet se ka përdorur muzikën dhe imazhin e Taylor Swift në rrjetet sociale pa autorizim.

Sipas avokatëve të Swift, nuk ekziston asnjë mundësi reale që publiku të ngatërrojë projektet e Wade me albumin e këngëtares së famshme.

Seanca gjyqësore për çështjen është planifikuar të mbahet më 27 maj.