Koncerti i këngëtarit të famshëm, Bruno Mars, që do të mbahej të shtunën mbrëma në Tel Aviv, u anulua. Edhe pse të gjitha biletat ishin të shitura, koncerti nuk u realizua dhe shkak u bënë shpërthimet e përgjakshme të konfliktit izraelito-palestinez.
“Live Nation Israel” njoftoi se koncerti i Brunos në Tel Aviv ishte anuluar dhe çmimet e biletave do të rimbursoheshin.
“Të dashur klientë, performanca e Bruno Mars që ishte planifikuar të zhvillohej sonte është anuluar”, shkroi kompania në “Instagram” në hebraisht.
Gjithashtu bëhet e ditur se të gjithë blerësit e biletave për shfaqjen do të marrin një rimbursim automatik në kartën e kreditit me të cilën është bërë blerja.
“Ne qëndrojmë me banorët e Izraelit, luftëtarët e IDF dhe forcat e sigurisë në këto momente të vështira”, thuhet në njoftim.
Sulmi nga Gaza filloi një ditë pas 50-vjetorit të Surprizës së Tetorit të Egjiptit dhe Sirisë që ndezi Luftën e Yom Kipur.