Georgina Rodriguez ka marrë gjithë vëmendjen në një darkë të profilit të lartë në Shtëpinë e Bardhë, e cila u mbaj mbrëmjen e së martës. Partnerja e futbollistit të famshëm, Cristiano Ronaldo, u shfaq me një fustan të zi mjaft seksi, i cili i tregonte të gjithë kurrizin.
31-vjeçarja ishte një nga fytyrat më të famshme të pranishme në darkën e presidentit amerikan, Donald Trump, për të mirëpritur Princin e Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, në turneun e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Modelja dhe influencuesja e lindur në Buenos Aires, Argjentinë, e cila u fejua me 40-vjeçarin në fillim të këtij viti, dukej mahnitëse me flokët e saj të kapura pas dhe me një make-up të lehtë.
Mediat e huaja kanë publikuar fotografi të çiftit, i cili ka pozuar për një foto në grup me mogulë të teknologjisë, përfshirë Elon Musk dhe Greg Brockman.
“Daily Mail” shkruan se udhëtimi shënoi paraqitjen e parë të fotografuar të Ronaldos në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2017.
Kujtojmë se 40-vjeçari i tha së fundmi Piers Morgan se shpresonte që Trump të mund të bënte përparime drejt paqes botërore.
“Nëse bota është në paqe, ky është qëllimi ynë. Trump është një nga njerëzit që mund t’a ndryshojë ose të ndihmojë në ndryshimin e botës. Dhe ky është objektivi im kryesor: të takohem me Trump dhe të flasim për paqen në botë”, i tha ylli i futbollit Morgan.
Nga ana tjetër, Ronaldo, i cili ka qenë aktiv në futboll për më shumë se dy dekada, ka lidhje me kurorën saudite nëpërmjet statusit të tij si lojtar në ekipin e klubit Al-Nassr në Ligën Profesionale Saudite.











