I ftuari i parë i sezonit të dytë të podkastit, “Flet”, me Ilnisa Agollin, ishte Sali Berisha. Ish-kryeministri ka ardhur në këtë intervistë me rrëfime të sinqerta dhe pa doreza.

I pyetur nga moderatorja e njour se ‘çfarë ju shtyu të bëheshit politikan?’, kryedemokrati e nisi përgjigjen e tij duke thënë:

“Asgjë tjetër përveç dinjitetit njerëzor”.

Më pas Sali Berisha vijoi duke thënë:

“Unë mjek, studiues, autor shkrimesh. Kishim një problem, tjetër flisnim me të tjerë, tjetër flisnim në privat. Jetonim në një duplicitet. Dhe këtë duplicitet, paraardhësit e mi nuk e kishin. Në diktaturë, ata ishin bujqër, por nuk i lejonin vetes të flisnin ato që nuk i besonin. Pra mund të shkonte ose jo në mbledhje, por nuk thoshte çfarë nuk besonte. Ata ishin njerëz të thjeshtë, besimtarë, ishin racionalë në konkluzionet e tyre. Ata njerëz të thjeshtë mbetën në vetën e tyre, derisa vdiqën në vitet ’80. Nuk mund të them se ata nuk kishin frymëzim, nuk kishin universitet, nuk dinin gjuhë të huaja. Por ata ruajtën identitetin. Ne nuk e ruanim, ne tjetër thonim në mbledhje, tjetër me njëri-tjetrin. Kjo është një gjë shumë problematike.

E dyta, se ç’më ishte kujtuar çështja e votës. Ne votonim çdo 4 vite dhe dilte 99% sepse të gjithë votonin siç donte diktatori. Ne edhe në errësirë kishim frikë, se kishte një dhomë të errët, por votën e hidhje aty ku nuk duhej. Dhe kjo më mërziste shumë. Por të vendosje për të dalë kundër, duhej të merrje parasysh veten tënde, por dhe fëmijët dhe bashkëshorten, ata mund të internoheshin, mund t’ua nxije jetën. Unë kam menduar shumë që Ramiz Alia mund ta ndryshonte situatën, jo vetëm unë, shumica e intelektualëve. Ramizi të krijonte përshtypjen që e komandonte Nexhmija në çdo lloj apekti. Ishin këto faktorë që më shtynë të shkruaj. Politika më ka dhënë mundësi të jashtëzakonshme të realizoj shumë gjëra, qëllime dhe ëndrra”.