E ftuar në emisionin “Pardon My French”, me Jonida Aliçkollin dhe Aulona Mustën në Top Albania Radio, ka qenë Çiljeta Xhilaga. Artistja e njohur ka zbuluar më shumë detaje nga jeta e saj private dhe karriera muzikore, duke u kthyer pas në kohë për të kujtuar edhe fillimet e saj në muzikë. Gjithashtu, Çiljeta është ndalur te e tashmja dhe planet që ka për të ardhmen, si në aspektin profesional, ashtu edhe në jetën familjare.

A mendon ajo se të qenurit një personazh publik ta rrit disi egon dhe dëshirën për të qenë më e mira dhe e para, apo, përkundrazi, të bën të ruhesh më shumë nga vëmendja e publikut?

Unë them gjithmonë që të kisha pasur çerekun e egove të kolegeve të mia, besoj që do të kisha arritur akoma dhe më lart në jetën time. Unë kam qenë thjesht një vajzë ëndërrimtare gjithë jetën që doja të kërceja, të këndoja dhe të realizoja ëndrrat e mia. Nuk kam qenë kurrë egoiste për të qenë e para diku apo të dukesha vetëm unë. Nuk kam vuajtur asnjëherë për vëmendje.