Pas vendimit të futbollistit të famshëm, Lionel Messi, për t’i dhënë fund karrierës me Kombëtaren argjentinase, një nga mesazhet më emocionuese ka ardhur nga bashkëshortja e tij, Antonela Roccuzzo.
Menjëherë pas ylli i futbollit ndau me ndjekësit një video që përmbledh rrugëtimin e tij me Argjentinën, Antonela reagoi në rrjetet sociale. Ajo shpreh krenarinë që ka për gjithçka që Messi ka arritur gjatë më shumë se dy dekadave me fanellën e Kombëtares.
Në videon e publikuar nga Messi shfaqen momente të ndryshme të karrierës së tij me Argjentinën, të shoqëruara me këngën “Brindis” nga Soledad Pastorutti. Antonela komentoi fillimisht:
“Jam kaq krenare që kam qenë pranë teje në këtë rrugëtim dhe të kam parë të realizosh të gjitha ëndrrat e tua. Ti e meritoje këtë histori dhe shumë më tepër. Të duam pafundësisht.”
Por më pas ajo zgjodhi t’i kushtonte një mesazh të plotë bashkëshortit të saj, duke kujtuar edhe momentet e vështira të rrugëtimit të tij.
“Çfarë krenarie të të shoh duke e mbyllur këtë etapë kështu. Kanë qenë kaq shumë vite, kaq shumë momente, kaq shumë gëzime, por edhe kaq shumë goditje. Të pashë të vuaje, të rrëzoheshe dhe të ngriheshe sërish. Të pashë të vazhdoje edhe kur gjërat nuk shkonin mirë dhe të provoje përsëri, gjithmonë”, shkroi Antonela.
Ajo theksoi se një nga gjërat që e emocionon më shumë është fakti që fëmijët e tyre janë rritur duke parë nga afër gjithë këtë histori, duke parë të atin të luftojë për ëndrrat e tij, të mos dorëzohet dhe të besojë deri në fund.
“Dhe më pas patën mundësinë të ishin aty për të të parë të arrije gjithçka dhe të ngrije Kupën e Botës”, vijoi ajo.
Antonela u shpreh se ndoshta një ditë fëmijët e tyre do ta kuptojnë plotësisht madhështinë e historisë së të atit, ndërsa sot, sipas saj, ata thjesht janë krenarë për babain e tyre.
Në fund, ajo e mbylli mesazhin me fjalët:
“Dhe unë jam krenare për ty. Për rrugëtimin tënd, për gjithçka që ke kapërcyer dhe, mbi të gjitha, për personin që qëndroi pas secilit prej këtyre momenteve. Çfarë privilegji të kem jetuar gjithçka këtë në krahun tënd. Të duam pafundësisht”.






