Stilistja e modës dhe modelja, Anashid Husseini, e martuar me Amir Mohsen Moradian, djalin e ish-ambasadorit të Iranit në Danimarkë, shfaqej në rrjetin social “Instagram” me pallto të shtrenjta kashmiri dhe çanta dore, vlera e të cilave tejkalon të ardhurat vjetore të shumë iranianëve. Aktiviteti i saj në rrjetet sociale, i lidhur me pasurinë dhe luksin, ka shkaktuar zemërim publik.

“The Times” shkruan se Husseini bën pjesë në grupin elit “aghazadeh”, që përfshin fëmijët e zyrtarëve të lartë të regjimit, të cilët përfitojnë nga pushteti politik dhe pasuria e krijuar nga korrupsioni dhe anashkalimi i sanksioneve. Ky fenomen nuk është i izoluar. Mohammad Hossein Shamkhani dhe vëllai i tij Hassan (“Hector”), të vendosur në Dubai, drejtojnë një perandori globale transporti detar, ndërsa babai i tyre, Ali Shamkhani, ka qenë ish-shef i sigurisë dhe këshilltar i lartë i udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Sipas studiueses Ella Rosenberg nga “Jerusalem Centre for Foreign Affairs”, stili i jetesës së këtyre të rinjve ka zemëruar qytetarët iranianë, sidomos brezin Z, që shohin luksin pa asnjë llogaridhënie. Shumë nga këta “aghazadeh” jetojnë jashtë vendit, në Britani, Francë, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara, duke shfrytëzuar lidhjet e familjeve të tyre. Një shembull i njohur është Sasa Sobhani, djali i ish-ambasadorit iranian në Venezuelë, i cili në Instagram shfaq jahte, makina të shtrenjta dhe festa ekstravagante, duke nxitur zemërim publik.

Ky luks i hapur, thellësisht diferencues me vështirësitë që përjeton shumica e iranianëve. Protestat antiregjim janë shtypur me dhunë, me të paktën 5,000 të vrarë sipas autoriteteve dhe rreth 16,500 sipas organizatave të pavarura. Shumë qytetarë përballen me krizë ekonomike, inflacion të lartë dhe mungesë mundësie për të përballuar jetesën e përditshme, ndërsa fëmijët e elitës jetojnë një jetë luksoze brenda dhe jashtë vendit.

Gjatë trazirave, shumë të pasur u panë duke udhëtuar drejt Turqisë për t’u argëtuar dhe për t’u larguar nga dhuna. Në lagjet e pasura të veriut të Teheranit, si Elahieh, shpesh e krahasuar me Beverly Hills, makina luksoze kalojnë përpara kafeneve të shtrenjta, butikëve firmato dhe kullave moderne, duke krijuar një kontrast të fortë me vështirësitë ekonomike të shumicës së popullsisë.