Rozana Radi ka bërë një rrëfim shumë të bukur dhe emocionues në shtëpinë e “Big Brother VIP 4”. Këngëtarja e njohur ka folur për ikonën e ekranit shqiptar, Tefta Radin, për të cilën ajo u shpreh se e ndjen sikur e ka nënë të dytë pasi ajo së bashku me xhaxhain e saj, Françesk Radi, kanë qenë si prindër për të pas largimit të mamit dhe babit të saj nga jeta.
“Ajo është e para që më uron, ajo di çdo gjë. Mjafton një kafe 5 minuta me të dhe kam takuar mamin, babin, Frankon”, tha Rozana duke shtuar se ajo do të mbetet gjithmonë ura lidhëse e të gjithë kujtimeve të saj të bukura.
“I detyrohem gjithë jetën Frankos për kulturën që më ka dhënë mua sa i përket muzikës. Ne kemi jetuar në një shtëpi. Franko kishte një dhomë dhe ne dy të tjera. Pra ishim një shtëpi e madhe te Tirana e Re dhe të gjithë thonin shtëpia e Nand Radit. Franko ka qenë fanatik për mënyrën si unë studioja. Më thoshte shpesh, mësoje flautin, mos lër orët e mësimit. Ditën e parë kur kam hipur në skenë me Frankon, me këngën biçikleta, nuk kam për ta harruar kurrë sepse ajo ka qenë pikënisja e karrierës time si këngëtare.
Nuk ishte ai që më thoshte hajde në studio që të bëjmë një këngë ose një duet bashkë, por kishte një admirim të madh për mënyrën se si unë shkruaja. E kam peng të madh në jetë se kam pasur në shtëpi një artist të madh sikurse Françesk Radi dhe nuk pata mundësinë të bëja një duet. E kam patur si një baba të dytë. Sukseset e mia artistike pas largimit të babit, kisha kujt t’ja tregoja. Nuk e kam menduar kurrë se Franko nuk do të jetë më. E pashë në ëndërr largimin e tij dhe të nesërmen ndodhi ajo që ndodhi. Por ajo që shikoja gjatë momenteve që ai largohej dhe që më mbante ende më të fortë, ishte Tefta.
Unë kurrë nuk e kam parë Teftën të dorëzuar, por ai ishte momenti që pashë një njeri tjetër. Kur flasë për Teftën, flas për shembullin e një gruaje të fortë, është një shembull i një gazetareje që para gjithçkaje ka vënë profesionin. Me largimin e Frankos pata një lidhje shpirtërore me Teftën sepse pashë tek ajo atë gruan e butë dhe të dashur, nuk e kisha parë kurrë duke qarë. Kur i ndodhi ajo Frankos ajo u shemb.
Tefta dhe Franko kanë qenë si prindër për ne. Në momentin që i ndodhi ajo mamit, Tefta ka bërë shumë për ne. Na ka ndenjur shumë afër, ka gjëmuar të gjithë spitalet ku ne kemi qenë. Mua më vjen shumë keq që Tefta nuk është në Shqipëri për një këshillë apo diçka tjetër. Ajo është e para që më uron, ajo di çdo gjë. Mjafton një kafe 5 minuta me të dhe kam takuar mamin, babin, Frankon. Të gjithë.
Tefta nuk i heq asnjëherë nga goja. Kur them Tefta, them shtëpi. Kur më thua Tefta kujtoj Tiranën e Re, muzikën, të gjithë problemet dhe tranzicionin që ka kaluar Shqipëria. Kur më thua Tefta, kujtoj enciklopedi. Kur më thua Tefta, më thua qetësi, familja. Tefta është ajo ura që sa herë e shoh, më hapet dera e shtëpisë. Do të mbetet gjithmonë ura lidhëse e të gjithë kujtimeve të bukura të mija. Unë e ndjejë Teftën sikur e kam nënë të dytë”, tha Rozana në rrëfimin e saj.
Në përfundim të rrëfimit, banorja e BBV 4 tha se mësimi më i mirë që i ka lënë Tefta është:
“Jam shumë e lumtur që babai yt ka lënë një trashëgimtare të denjë për të na u përgjigjur ne ashtu sikur përgjigjej ai kur ishte gjallë. Tefta është për çdo gëzim dhe trishtim timin. Më telefonoi kur unë fitova çmimin e parë në këngën magjike. Ajo jeton në Australi me djalin… Franko ka qenë babai që unë doja ta shikoja të thinjej sepse unë babin nuk e kam parë të thinjet”.