Aktori 27-vjeçar İbrahim Yıldız ka ndërruar jetë pas një beteje gjashtëmujore për jetën, pasi u plagos rëndë nga një pemë që u rrëzua si pasojë e erërave të forta në Kartal të Stambollit.

Ngjarja tragjike ndodhi më 15 gusht, rreth orës 14:45, në rrugën Nur, në lagjen Soğanlık Orta Mahalle, Kartal. Aktori i ri u godit në kokë nga një pemë që u rrëzua papritur dhe u dërgua me urgjencë në spital, ku qëndroi për gjashtë muaj nën kujdes intensiv, për një kohë të gjatë i lidhur me aparatura të frymëmarrjes artificiale. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra.

Mbrëmjen e djeshme, miqtë e tij të ngushtë, Burak Can dhe Caner Topçu, kishin shkuar për ta vizituar në spital, por morën lajmin e hidhur sapo mbërritën atje. Lajmi për vdekjen e tij u bë publik edhe nga aktorja e njohur Alina Boz, e cila shprehu dhimbjen për humbjen e kolegut të saj.