Aktori dhe komediani i njohur, Martin Short, i bëri një telefonatë të dëshpëruar shoqes së vajzës së tij pasi nuk kishte dëgjuar prej saj për më shumë se 24 orë, pak para se ajo të gjendej e vdekur në shtëpinë e saj në Los Angeles.

Në raportin e mjekut ligjor, të siguruar nga “Daily Mail”, thuhet se Katherine Short u gjet e vdekur në dhomën e saj të gjumit në shkurt kur një shoqe shkoi t’a kontrollonte pasi babai i saj u shqetësua. Ky fakt në fillim nuk u raportua.

Raportet fillestare përmendën vetëm telefonatën e shoqes drejtuar autoriteteve.

Duke ndjekur udhëzimet e Martin Short, shoqja e 42-vjeçares shkoi në shtëpinë e saj, ku gjeti derën e mbyllur dhe një shënim, përpara se të telefononte menjëherë autoritetet.

Policia hyri në shtëpi dhe e gjeti atë në shtrat, ndërsa në vendngjarje u gjetën gjithashtu një armë dhe një shënim i shkruar me dorë. Raporti thotë se vdekja e saj u shkaktua nga vetëlëndimi, ndërsa është regjistruar edhe një histori e shëndetit mendor, si dhe një tentativë e mëparshme vetëvrasjeje në vitin 2017.

Martin Short foli publikisht për humbjen e vajzës së tij disa muaj më vonë dhe e përshkroi përvojën si një “makth” për të gjithë ata që e donin, duke theksuar rëndësinë e të kuptuarit të sëmundjeve mendore si sëmundje të vërteta.