Një ngjarje e pazakontë ka tronditur botën e televizionit amerikan. Një nga figurat kryesore të emisionit të njohur për hetime paranormale “Ghost Adventures”, Aaron Goodwin, ka përjetuar shokun e jetës së tij gjatë xhirimeve të një episodi të ri të programit.
Goodwin po vendoste pajisjet në një vend që thuhej se ishte i përhumbur, së bashku me kolegun e tij Jay Wasley, kur mori një telefonatë të papritur që do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë. Në anën tjetër të linjës ishte policia.
Kur kolegu e pyetu nëse gjithçka ishte në rregull, ai iu përgjigj i tronditur:
“Vëlla, policia është në shtëpinë time”.
Më vonë, produksioni i “Ghost Adventures” njoftoi se pjesa e atij momenti nuk do të transmetohet, ndërsa narratori i episodit shpjegoi se gjatë asaj telefonate, Goodwin kishte mësuar lajmin e tmerrshëm: gruaja e tij ishte arrestuar për porositjen e vrasjes së tij.
Nga raportimet thuhet se, Victoria Goodwin, bashkëshortja e Aaronit, ishte arrestuar në muajin mars, nën akuzat për nxitje dhe komplot për vrasje. Vetëm një muaj më vonë, ajo pranoi fajësinë nëpërmjet një marrëveshjeje dhe u dënua me burgim nga tre deri në shtatë vjet e gjysmë.
Hetimet zbuluan se Victoria kishte dërguar mesazhe një të burgosuri në Florida, Grant Amatou, ku thuhej se kishte shkruar: “A jam person i keq që zgjodha t’i jap fund ekzistencës së tij? Jo divorc”.
Ndërkohë policia ka deklaruar se, Victoria kishte planifikuar t’i paguante Amatou 11,515 dollarë për të kryer vrasjen e bashkëshortit të saj, dhe plani ishte hartuar që nga tetori i vitit 2024. Komploti u zbulua kur gardianët e burgut konfiskuan telefonin e Amatout, i cili ishte futur kontrabandë.
Vetëm disa ditë pas arrestimit të gruas së tij, Aaron paraqiti kërkesën për divorc, duke deklaruar se “nuk ekziston asnjë mundësi pajtimi”.
Në një reagim të fundit në rrjetet sociale, Goodwin ka thënë se nuk do të shikojë episodin në fjalë, pasi nuk dëshiron të rikujtojë natën e ngjarjes dhe traumën e përjetuar.
“Nuk do ta shikoj këtë episod, sepse nuk dua ta përjetoj sërish atë moment dhe atë telefonatëˮ – shkroi ai. Aktori falënderoi mediat për interesimin, por theksoi se nuk është ende gati të flasë publikisht për rastin.
“Ky përfundim është i çmendur dhe tronditës, sidomos për atë që ndodhi gjatë hetimit tonë”, përfundoi Goodwin.



