Pamje tronditëse janë publikuar nga një spital në Miami, ku një pacient shihet duke sulmuar brutalisht një infermiere brenda dhomës së urgjencës. Incidenti ka ndodhur më 30 maj në Jackson Memorial Hospital, ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë janë bërë publike disa muaj më vonë, në një kohë kur vijon edhe beteja ligjore lidhur me masat e sigurisë në spital.

Në video, sulmi ndaj infermieres Yanira Eguiller është regjistruar nga dy kënde të ndryshme. Autori i dyshuar është identifikuar si Wenyu Rubin, i cili sipas infermieres e goditi disa herë në kokë dhe më pas e rrëzoi në dysheme. “Ai më goditi në kokë gjithsej tre herë dhe më hodhi përtokë. E mbulova fytyrën me duar”, ka treguar Eguiller.

Sipas dëshmisë së saj, gjithçka nisi kur ajo dëgjoi britmat e një kolegeje dhe ndërhyri për ta mbrojtur. Pacienti po ndiqte punonjësen drejt stacionit të infermierëve dhe pikërisht në atë moment Eguiller tentoi ta ndalonte.

“Dëgjova një britmë të fortë nga një punonjëse. U ktheva dhe pashë këtë burrë duke vrapuar pas saj drejt stacionit të infermierëve. Shkova drejt tyre dhe ai ishte gati ta godiste. I thashë: ‘Jo, mos e godit’. Ai u kthye dhe më goditi me grusht”, ka rrëfyer infermierja.

Pamjet tregojnë më pas punonjës të tjerë të spitalit që vrapojnë për t’i ardhur në ndihmë koleges së tyre. Pas ndërhyrjes së stafit, burri neutralizohet dhe shtrihet në dysheme. Pas sulmit, Eguiller, këtë herë në rolin e pacientes, u dërgua menjëherë në një nga dhomat e spitalit. Ajo iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore dhe testeve imazherike për të përcaktuar shkallën e dëmtimeve të pësuara.