Një ngjarje e dhunshme ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku TikTokerja Suada Muça është sulmuar nga disa vajza. Burime jozyrtare tregojnë se vajzat dyshohet se kanë vepruar për hakmarrje, pas një konflikti të mëparshëm të Muçës në rrjetet sociale. Sipas raporteve, ky konflikt ka lindur nga ofendimet dhe fyerjet e publikuara nga Suada Muça ndaj Xhemal Ukës, i njohur me nofkën “Fire”.

Ky rast i dhunës është pjesë e një tendence në rritje që lidhet me përplasje në rrjetet sociale, veçanërisht në platformën TikTok. Pas këtij incidenti, janë regjistruar edhe dy raste të tjera të dhunës në Tiranë, ku shkaktar i konflikteve ka qenë gjithashtu aktiviteti në TikTok.

Një nga këto raste lidhet me plagosjen e Fabion Kuçit, i njohur në rrjetet sociale si “Gucci”. Ai është përfshirë fillimisht në një përplasje verbale në TikTok dhe më pas ka përfunduar i plagosur me armë zjarri. Ai ka deklaruar gjatë dëshmisë në polici se konflikti ka nisur pas sharjeve dhe fyerjeve në rrjetet sociale. Policia ka identifikuar autorin e plagosjes dhe e ka shpallur atë në kërkim.

Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e Freskut, ku një 26-vjeçar është dhunuar me sende të forta. Për këtë rast, Xhemal Uka, i dyshuar për përfshirjen në dhunën ndaj Muçës, është shpallur në kërkim nga policia.