Ivana Knoll ka rrëmbyer edhe një herë vëmendjen e tifozëve, këtë herë në prag të përballjes së shumëpritur mes Kroacisë dhe Portugalisë në Kupën e Botës. Modelja kroate, e njohur në mbarë botën si tifozja më e famshme e kombëtares së Kroacisë, publikoi një video në rrjetet sociale nga jashtë stadiumit BMO Field në Toronto, ku do të zhvillohet ndeshja e fazës së 1/16 së finales.
“Jam para stadiumit në Toronto, ku luajnë Kroacia dhe Portugalia. Mezi pres të fitojmë.”-dëgjohet të thotë ajo në videon e postuar. Kroacia do të kërkojë një vend në raundin tjetër përballë Portugalisë, në një duel që pritet të jetë ndër më interesantët e këtij edicioni të Kampionatit Botëror.
Që prej fillimit të turneut, Ivana ka qenë pranë ekipit kombëtar, duke udhëtuar në Amerikën e Veriut dhe duke ndjekur nga afër çdo ndeshje të Kroacisë. Në rrjetet sociale ajo ka publikuar vazhdimisht fotografi dhe video nga stadiumet, duke shprehur mbështetjen e saj për futbollistët kroatë. Pak ditë më parë, pas fitores së Kroacisë ndaj Ganës, Ivana tërhoqi vëmendje edhe me një mesazh provokues drejtuar yllit portugez Cristiano Ronaldo.
“Po kthehemi në Toronto. Cristiano, bëhu gati”-shkroi ajo në profilin e saj. Me stilin dhe entuziazmin që e kanë bërë të famshme në turnetë më të mëdhenj të futbollit, Ivana Knoll pritet të jetë sërish në tribunë për të mbështetur Kroacinë, ndërsa tifozët presin një përballje spektakolare mes dy prej kombëtareve më të forta në botë.



