I ftuar në emisionin “Lancio” me David Priftin ka qenë Algert Sala. Artisti i njohur ka zbuluar më shumë detaje rreth projekteve të tij muzikore, fillimeve të karrierës dhe planeve për të ardhmen.
Kantautor, kompozitor dhe autor tekstesh, Algerti krijon jo vetëm për veten, por edhe për artistë të tjerë. Gjatë intervistës, ai u ndal te procesi i krijimit dhe mënyra se si përvojat personale shndërrohen në muzikë. Ai ka folur hapur për ndryshimet që ka pësuar industria muzikore dhe vështirësitë me të cilat përballen sot artistët.
Ideja është që tregu muzikor është bërë shumë më i vështirë se ç’ka qenë më parë. TikTok-u merr atë shkëlqimin momental, që njerëzit mund të bëjnë video për një periudhë kohe, por fakti është që një artist investon edhe për pjesën e videoklipeve, të cilat janë në platformën e YouTube-it, dhe u bie pak pesha për t’u parë dhe për t’u dëgjuar në këtë lloj platforme, nga e cila prodhojmë edhe të ardhura.
Sipas artistit, ky ndryshim në mënyrën e konsumimit të muzikës ka ndikuar drejtpërdrejt edhe tek investimet që bëhen për projekte të reja.
Kjo pjesë deri diku i ka dëmtuar edhe vetë artistët për të marrë pas, në fund të ditës, edhe ato fryte për të cilat kanë investuar në një projekt.
