Performanca e Bad Bunny në skenën e Super Bowl është shndërruar në një nga momentet më të ndjekura në historinë e eventit sportiv dhe muzikor. Sipas të dhënave të publikuara nga NFL, Roc Nation dhe Apple Music, spektakli i tij ka arritur në 4.157 miliardë shikime në nivel global.

Shifrat përfshijnë jo vetëm audiencën televizive, por edhe transmetimet online, shikimet në YouTube dhe angazhimin në platformat e rrjeteve sociale. Vetëm gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të Super Bowl, performanca e artistit portorikan u ndoq nga 128.2 milionë shikues.

Ky rezultat e vendos Bad Bunny mes artistëve me impaktin më të madh në historinë e këtij eventi, duke ardhur menjëherë pas performancës së Kendrick Lamar vitin e kaluar, e cila regjistroi 133.4 milionë shikues gjatë transmetimit live, sipas Rolling Stone.

Spektakli i tij u vlerësua për energjinë, produksionin dhe elementët vizualë, duke forcuar më tej pozicionin e tij si një nga artistët më me ndikim në skenën globale të muzikës.

Menjëherë pas Super Bowl, Bad Bunny vijoi me angazhimet e tij ndërkombëtare, duke nisur fazën e radhës së turneut botëror “DeBÍ TiRAR MáS FOToS”. Ai ka performuar tashmë në Sydney dhe pritet të ngjitet në skenë në Tokio më 7 mars. Koncertet në Evropë janë planifikuar të nisin në fund të majit, ndërsa turneu do të vazhdojë deri në fund të korrikut.