Nëna e një vajze 4-vjeçare, e cila u vra në Francën qendrore dhe u gjet pranë një autostrade gati 40 vite më parë, është dënuar me 20 vite burg. 72-vjeçarja Halima El Bakhti u shpall fajtore për “tortura dhe akte barbarie që shkaktuan vdekjen, pa qëllim vrasjen”, raportojnë mediat franceze.

Babai i vajzës, 74-vjeçari Ahmed Touloub, u dënua me 15 vite burg për bashkëpunim në krim, sipas BBC-së. Vogëlushja Ines Touloub u gjet më 11 gusht 1987 pranë autostradës A10, në zonën e Sievres, në rajonin Loir-et-Cher. Trupi i saj kishte shenja të shumta abuzimi, mes të cilave kafshime njerëzore, kocka të thyera dhe djegie të shkaktuara me hekur.

Vajza u varros në një varr pa emër, pranë vendit ku ishte gjetur trupi i saj. Për tre dekada identiteti i saj mbeti mister dhe ajo njihej vetëm si “Vogëlushja dëshmitare e A10”.

Vetëm në vitin 2018 u bë e mundur identifikimi i saj, pasi ADN-ja e vëllait të saj, e analizuar në kuadër të një çështjeje tjetër, përputhej me atë të vajzës. Ky zbulim çoi në arrestimin e prindërve të saj.

Gjyqi u zhvillua në Gjykatën Penale të Loir-et-Cher, duke nisur më 2 nëntor, ndërsa vendimi u shpall të martën, pas disa orësh diskutimesh nga trupi gjykues.

Gjatë procesit, prokurorja Anais Alliot theksoi se “nuk kishte asnjë pjesë të trupit të Ines që të mos kishte pësuar abuzim”. Ajo foli gjithashtu për “ndjenjën e tronditjes që na pushtoi të gjithëve” kur panë fotografitë e tmerrshme të autopsisë, sipas France Info.

Gjykata vlerësoi se nëna vuante nga një çrregullim i aftësisë për të gjykuar në kohën e vdekjes së vajzës së saj. Ky konstatim ndikoi në uljen e dënimit maksimal që mund t’i jepej.

Sipas France Info, të dy të pandehurit qëndruan të palëvizur në karriget e tyre, me kokat e ulura, ndërsa po lexohej arsyetimi i vendimit të gjykatës. El Bakhti dhe Touloub kanë afat prej 10 ditësh për të ushtruar të drejtën e apelimit kundër vendimit të gjykatës.

 Vdekja e vogëlushes Ines shkaktoi një nga hetimet më të mëdha në historinë e Francës. Fotografia e vajzës u shpërnda dhe u afishua në vende publike, ndërsa alarmi për gjetjen e saj u dërgua në më shumë se 30 shtete.