Ai ishte bërë tmerri i fqinjëve të tij, duke i torturuar për gati një dekadë me kitarën e tij dhe duke luajtur vazhdimisht muzikë. Tani ai është arrestuar. Kjo është ajo që ndodhi në Kioto të Japonisë, në një rast ku protagonist ishte 61-vjeçari Kazunori Yokoi. Vetëm policia arriti ta ndalonte atë: ankesat e përsëritura të bëra ndër vite nga banorët, disa prej të cilëve madje pësuan probleme serioze me dëgjimin, nuk patën rezultat.
Kazunori është një emër që në Japoni mund të interpretohet si “standard i harmonisë”. Një harmoni që fqinjëve të tij u ka munguar për më shumë se shtatë vjet. 61-vjeçari është një adhurues i madh i muzikës. Aq shumë sa kishte mbledhur rreth 40 kitara në shtëpinë e tij dhe jetonte në simbiozë me muzikën. Ndoshta tepër shumë.
Sipas hetuesve, në shtëpinë e Yokoit radioja qëndronte ndezur gjithë ditën, ndërsa kitara luhej nga mëngjesi herët deri në orët e vona të pasdites. Kjo shkaktoi probleme serioze me dëgjimin te katër persona që jetonin në apartamentet ngjitur, të moshës 60 deri në 80 vjeç.
“Ishte e tmerrshme, sepse të gjitha llojet e tingujve përziheshin së bashku gjatë gjithë ditës”, tha një banor, i irrituar nga situata, për Kyodo News. Viktimat thuhet se zhvilluan simptoma të lidhura me mungesën e gjumit dhe madje edhe forma të depresionit. Një prej katër banorëve, një grua e lagjes, thuhet se zhvilloi edhe tinitus, pra perceptimin e një tingulli në formën e fishkëllimës ose gumëzhimës, pa ekzistuar një burim i jashtëm i zërit.
Si u arrit deri në këtë pikë? Pas vitesh e vitesh ankesash të padëgjuara. Ankesat e para u bënë që në vitin 2019. Që atëherë, oficerët e policisë e kishin paralajmëruar vazhdimisht 61-vjeçarin, por ai vazhdoi ta luante muzikën me volum të lartë.
Në fund, fqinjët e fituan betejën, duke u dhënë autoriteteve lokale baza të mjaftueshme për ta arrestuar atë nën akuzën e sulmit. Matjet regjistruan nivele zhurme midis 80 dhe 90 decibelësh, një intensitet i krahasueshëm me zhurmën e një treni që kalon me shpejtësi pranë nesh.
Policia sekuestroi më shumë se 40 kitara, shumë prej tyre elektrike, nga shtëpia e Yokoit, së bashku me CD player, radio-kaseta dhe amplifikatorë. Tani fqinjët e tij mund t’i rikthehen më në fund jetës së tyre të qetë.

