Sarah Ransome është një nga gratë që doli hapur, me identitet të plotë, për të rrëfyer abuzimet që pretendon se ka përjetuar nga Jeffrey Epstein dhe bashkëpunëtorja e tij Ghislaine Maxwell. Ajo thotë se u rekrutua në vitin 2006, në moshën 22-vjeçare, ndërsa studionte në Nju Jork, me premtime për ndihmë në karrierë dhe lidhje në botën e modës.

Sipas dëshmisë së saj publike ndër vite, gjithçka nisi me një miqësi të re që e prezantoi me Maxwell, e cila më pas e lidhi me Epstein. Ransome pretendon se përfundoi në ishullin privat Little Saint James, ku, sipas saj, nisi një periudhë e errët abuzimesh dhe kontrolli psikologjik.

Ajo ka deklaruar se pas mbërritjes në ishull iu morën dokumentet dhe mjetet e komunikimit, ndërsa përjetoi përdhunime të përsëritura, shpesh nën ndikimin e drogave dhe në kushte izolimi. Në intervista të ndryshme, Ransome ka folur për një sistem të organizuar ku vajzat inkurajoheshin të rekrutonin të tjera, duke krijuar një rrjet të strukturuar shfrytëzimi.

Në qershor 2022, ajo ishte e pranishme në gjykatën federale të Nju Jorkut kur Maxwell u dënua me 20 vite burg për trafikim seksual dhe abuzim me të mitura. Ransome e ka cilësuar këtë moment si një formë drejtësie, pas më shumë se një dekade me trauma dhe betejë ligjore.

Epstein u arrestua në vitin 2019, por u gjet i vdekur në qelinë e tij në Nju Jork para se të përballej me gjyqin, në një rast që zyrtarisht u cilësua vetëvrasje.