Skandali që shpërtheu pasi ekzekutivja e burime njerëzore, Kristin Cabot, u filmua duke u përqafuar me shefin e saj të martuar, Andy Byron, në një koncert të “Coldplay”, ka marrë një kthesë të re.
Sipas mediave britanike, edhe bashkëshorti i saj, Andrew Cabot, ishte në të njëjtin koncert dhe me një partnere tjetër, e cila tashmë është e dashura e tij.
Andrew dhe 52-vjeçarja ishin të martuar prej 2 vitesh, por sipas tij, ata ishin ndarë dhe jetonin veçmas para se të shpërthente skandali. Këtë e kanë konfirmuar edhe burime pranë tyre për “The Times of London”:
“Andrew ishte në koncert me një grua që tani është e dashura e tij. Ata kanë qenë të ndarë dhe prej disa javësh jetonin larg njëri-tjetrit. Andrew dhe Kristin nuk mund të flisnin pasi ishin në mes të një divorci“.
Kujtojmë se pamjet e Kristin Cabot dhe Andy Byron në ekranin gjigant të koncertit të grupit të famshëm bënë shumë bujë. Kjo për shkak edhe të komentit që bëri Chris Martin: “Ose kanë një lidhje, ose janë shumë të turpshëm”.
Sapo Cabot dhe Byron panë veten në ekranin e madh, që të dy u munduan që të fshiheshin. Ky moment u bë aq viral sa u kushtoi të dyve humbjen e vendit të punës.