Tragjedi në Venecia, 25-vjeçari humb jetën, gruaja rezulton e zhdukur. Një tragjedi e rëndë ka tronditur Venecian, pas përplasjes së një varke të vogël me një taksi ujore në kanalin që lidh ishullin Tessera me aeroportin “Marco Polo”. Çifti Sean Michieli, 25 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Gabriella Querino, 26 vjeç, kishin dalë për të mbledhur krimba deti, të cilët do t’i përdornin si karrem për peshkim gjatë javës së ardhshme. Gjatë lundrimit, varka e tyre u përplas me një taksi ujor që po udhëtonte drejt aeroportit.
Sean u nxor nga uji në gjendje të rëndë dhe u dërgua në spitalin “Sant’Angelo” në Mestre, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve. Ndërkohë, nga Gabriella nuk ka ende asnjë gjurmë.
Sipas dëshmive, çifti ishte i pandashëm dhe Gabriella, me origjinë braziliane, kishte mësuar të drejtonte varkën dhe të mblidhte karremat bashkë me bashkëshortin. Në kanalin ku ndodhi përplasja nuk ka kamera dhe zona nuk ishte e ndriçuar, duke e vështirësuar rindërtimin e aksidentit. Prokuroria ka hapur një hetim për “vrasje detare”, ndërsa varka e çiftit do t’i nënshtrohet ekspertizave për të përcaktuar dinamikën e saktë të ngjarjes.



