Një tragjedi e rëndë ka goditur futbollistin argjentinas Lucas Trejo, i cili ka humbur bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij pas tërmeteve shkatërrimtare që goditën Venezuelën. Familja e Lucas Trejo u gjet pas 74 orësh kërkime nën rrënojat e banesës që u shemb në Playa Grande, ndërsa klubi i tij kërkoi respekt për të afërmit në këtë moment dhimbjeje.

Sipas mediave të huaja, bashkëshortja e tij, Yanina Maranella, dhe dy fëmijët e vegjël, Aaron dhe Ainhoa Trejo, u gjetën të pajetë pas shembjes së banesës ku ndodheshin në Playa Grande. Familja ishte raportuar e zhdukur pas lëkundjeve të forta sizmike, ndërsa Trejo nisi një kërkim të dëshpëruar për të dashurit e tij. Pas 74 orësh kërkime, autoritetet dhe ekipet e shpëtimit konfirmuan lajmin tragjik.

Klubi venezuelian Sport Marítimo de La Guaira, ku Trejo ka lidhje sportive, shprehu ngushëllime për humbjen e rëndë dhe kërkoi respekt për familjarët dhe bashkëlojtarët në këtë moment të vështirë. Lajmi u përcoll edhe nga ish-futbollisti venezuelian Edson Tortolero, mik i afërt i Trejos, i cili njoftoi se trupat e familjarëve të futbollistit ishin gjetur pa jetë dhe falënderoi të gjithë për mbështetjen gjatë orëve të kërkimit.

Tërmetet në Venezuelë kanë shkaktuar një bilanc tragjik, me mijëra viktima dhe dëme të mëdha në ndërtesa e zona të banuara.