Një djalë 11-vjeçar nga Kanadaja humbi jetën nga tërbimi (rabia), pasi u zgjua gjatë natës dhe gjeti një lakuriq nate mbi hundën dhe gojën e tij. Ngjarja ndodhi gjatë një vizite familjare në një shtëpi pushimi në veri të Ontarios në vitin 2024, sipas prezantimit të rastit të publikuar së fundmi në revistën shkencore Canadian Medical Association Journal. Fëmija, emri i të cilit nuk u bë publik, u zgjua i tmerruar dhe e largoi lakuriqin e natës nga fytyra duke e goditur me dorë. Më pas, babai i tij arriti ta kapte nën një tenxhere dhe e lëshoi jashtë shtëpisë, sipas mjekëve të Departamentit të Pediatrisë dhe Shëndetit të Fëmijëve në Universitetin e Manitobës.

Djali nuk kishte shenja të dukshme kafshimi dhe sjellja e lakuriqit të natës nuk dukej e pazakontë, ndaj prindërit nuk e panë të nevojshme të kërkonin ndihmë mjekësore. Simptomat e para u shfaqën pothuajse tre javë më vonë. Nëntëmbëdhjetë ditë pas incidentit, djali filloi të ndiente mpirje dhe ndjesi shpimi gjilpërash në anën e djathtë të fytyrës. Më pas iu ënjt fytyra dhe humbi oreksin. Katër ditë pas shfaqjes së simptomave të para, ai shkoi në një qendër lokale të urgjencës, ku mjekët menduan se vuante nga paraliza e Bell-it, e shkaktuar nga virusi i herpesit, dhe i dhanë trajtim antiviral.

Tre ditë më vonë u transferua në urgjencën e një spitali në Ontario për shkak të dhimbjeve të forta gjatë gëlltitjes dhe të vjellave. Ekzaminimi klinik zbuloi plagë në mishrat e dhëmbëve, si dhe një mosfunksionim të lehtë të një nervi kranial në anën e djathtë të fytyrës, i cili është përgjegjës për ndjeshmërinë dhe përtypjen. Në atë moment, prindërit i treguan mjekëve për incidentin me lakuriqin e natës dhe të nesërmen mjeku i urgjencës njoftoi autoritetet e shëndetit publik. Megjithatë, djali u largua nga spitali me diagnozën e mundshme të gingivostomatitit herpetik, një infeksion i shkaktuar nga virusi i herpesit që shkakton plagë të dhimbshme në gojë dhe buzë.

Të nesërmen në mëngjes, djali 11-vjeçar u kthye në spital me dobësi në anën e djathtë të fytyrës, ndjeshmëri të reduktuar dhe vështirësi në të folur. Ndërsa priste të shtrohej në spital, ai shfaqi temperaturë, vështirësi në gëlltitje, konfuzion dhe halucinacione vizuale. Deri në mbrëmjen e asaj dite, gjendja e tij ishte përkeqësuar ndjeshëm. Mjekët e intubuan dhe e transferuan në Njësinë e Kujdesit Intensiv Pediatrik. “Kur e ekzaminuam pacientin në kujdesin intensiv pediatrik, dyshuam fort se bëhej fjalë për tërbim (rabi),” shkruajnë mjekët në publikimin e tyre. Diagnoza u konfirmua në ditën e katërt të shtrimit në spital përmes një testi molekular PCR, ndërsa Agjencia Kanadeze e Inspektimit të Ushqimit identifikoi edhe variantin e virusit të tërbimit që transmetohet nga lakuriqët e natës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, djali ndërroi jetë në ditën e 17-të të qëndrimit në spital.