Cristiano Ronaldo, një nga futbollistët më të mëdhenj në histori, po i afrohet shifrës prej 1000 golash në karrierë. Por pavarësisht kësaj arritjeje, në zemrën e tij mbetet një boshllëk që asnjë trofe nuk mund t’a mbushë. Arsyeja është e dhimbshme: babai i tij, Jose Dinis Aveiro, jetoi për të parë vetëm 27 prej tyre.

Jose, ish-ushtar dhe përgjegjës pajisjesh në klubin portugez Andorinha, ishte njeriu që e futi Ronaldon për herë të parë në fushën e futbollit. Ai besonte se djali i tij do të arrinte majat, por vdiq në vitin 2005 nga dështimi i mëlçisë. Në atë kohë, Cristiano ishte vetëm 20 vjeç dhe sapo kishte nisur karrierën me Manchester United.

Që prej vdekjes së tij në moshën 52-vjeçare, ylli portugez e ka mbajtur gjithmonë gjallë kujtimin e babait.

Në një intervistë për Piers Morgan, Ronaldo rrëfeu se nuk e kishte njohur kurrë plotësisht të atin për shkak të alkoolizmit dhe se nuk ka shkelur më në varreza që nga ajo ditë.

“Nuk kam folur kurrë me të një bisedë normale. Ishte e vështirë”, tha futbollisti i famshëm gjatë intervistës në vitin 2019, ku shpërtheu në lot.

E teksa kanë kaluar 6 vite nga kjo intervistë, Ronaldo ka folur sërish për Morganin, edhe kësaj here duke përmendur babain e tij, por në kontekstin e Diogo Jotës.

Pas vdekjes tragjike të futbollistit të famshëm, Cristiano u kritikua shumë për mungesën e tij në funeralin e bashkëkombësit. Ai shpjegoi se nuk mund të thyej rregullin e vet personal dhe se nuk dëshiron të kthejë vëmendjen mediatike ndaj vetes në momente zie.

Shumë u pyetën: “Pse nuk shkoi për t’i bërë nderimet e fundit shokut të skuadrës së Portugalisë? Pse dolën menjëherë foto të tij duke pushuar, pa bluzë, në jahtin luksoz në Mallorca?”.

Mesa duket vdekja e babait të tij krijoi një rregull personal që Ronaldo nuk mund ta shkelë dot.

“Një nga gjërat që nuk bëj, është se pas vdekjes së babait tim, nuk kam qenë më kurrë në varreza,” i shpjegoi ai Morgan-it, duke shtuar:

“Dhe, së dyti, ju e dini reputacionin tim — kudo që shkoj është si një cirk. Nuk shkoj gjithashtu sepse, nëse shkoj, gjithë vëmendja shkon tek unë, dhe nuk dua këtë lloj vëmendjeje.”

Ronaldo dukej shumë i sinqertë në këtë. Madje edhe motra e tij, Katia Aveiro, ka treguar më herët se, pas vdekjes së babait në 2005, varrezat u dëmtuan ndërsa mediat dhe publiku i ndiqnin në çdo hap — edhe në momentet më private.

“Kur babai im vdiq në vitin 2005, përveç trishtimit të madh, ishin edhe kamerat dhe njerëzit kureshtarë që na ndiqnin kudo, edhe në varreza,” shkroi ajo në “Instagram” gjatë verës, duke shtuar:

“Ishte një tragjedi e përshkrueshme. Varret u dëmtuan, njerëzit ecën pa respekt mbi to. Në atë kaos, nuk mundëm të largoheshim me dinjitet. Dhimbja ishte e padurueshme.”

Ndërkohë në rrëfimin e tij, sulmuesi i Al-Nassr kujtoi edhe gjestin human të Sir Alex Ferguson, i cili e lejoi të udhëtonte për të parë babain në spital, pavarësisht ndeshjeve të rëndësishme që e prisnin.

“Këto janë gjërat që vlejnë më shumë se çdo trofe”, u shpreh Ronaldo.

“Një ditë, babai im ishte në spital dhe unë isha shumë i tronditur. Fola me të dhe Ferguson më tha ‘Cristiano, shko atje për dy-tre ditë’. Kishim ndeshje të vështira dhe unë isha lojtar kyç në atë moment. Ai më tha: ‘Do të jetë e vështirë, por e kuptoj situatën tënde. Do të të lë jashtë dhe mund të shkosh ta vizitosh babain tënd’”, ka treguar Cristiano Ronaldo.

Sot, me pesë Champions League, pesë Topa të Artë dhe trofetë madhorë me Portugalisë, Ronaldo është në majë të botës së futbollit. Por pavarësisht lavdisë, një gjë nuk ka ndryshuar: babai i tij nuk ishte aty për t’i parë të gjitha.