Një ngjarje e rëndë ka tronditur Brazilin, ku një nuse e re humbi jetën në rrethana dramatike vetëm pak çaste pasi i mbijetoi një aksidenti automobilistik. Viktima është Samara Prado Martins, 24 vjeçe, arkitekte me profesion, e cila ishte martuar vetëm një muaj më parë. Samara po udhëtonte së bashku me bashkëshortin e saj Thiago Oliveira Martins nga plazhi, kur automjeti i tyre doli nga kontrolli dhe u përmbys në anë të autostradës pranë qytetit Ponta Grossa, në shtetin jugor të Paraná.
Policia Rrugore Federale njoftoi se çifti arriti të dalë vetë nga makina e përmbysur, por vetëm pak sekonda më vonë u goditën nga një kamion që po kalonte në të njëjtën rrugë. Samara humbi jetën në vend, ndërsa bashkëshorti i saj u plagos rëndë dhe u transportua me urgjencë me helikopter drejt spitalit, ku ndodhet në terapi intensive në gjendje kritike.
Familjarët e çiftit, të cilët udhëtonin me një automjet tjetër pas tyre, u kthyen mbrapsht sapo kuptuan se kishte ndodhur aksidenti. Ndërkohë, drejtuesi i kamionit dhe personat që ndodheshin në të nuk pësuan lëndime. Autoritetet braziliane kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit të parë që çoi në përmbysjen e automjetit.



