Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e sotme në Pejë, ku ka humbur jetën Eldion Kelmendi, vëllai i reperit të njohur dhe fituesit të “Big Brother VIP 4”, Gjesti.

Ky lajm ka prekur thellë opinionin publik dhe njerëzit e afërt me familjen. Ndër ta, ka reaguar edhe artisti i njohur Ylli Limani nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale duke thënë se:

Shumë e rëndë, të dëgjosh lajme të këqija si ky. Ngushëllime Gjestit dhe familjes Kelmendi. Zoti ju dhëntë forcë që ta përballoni këtë humbje! Pusho në paqe, Elidon.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së premtes në fshatin Qungur të Pejës, ku një motor u përplas me një veturë në një kthesë të rrugës. Eldion Kelmendi, vëllai i vogël i Gjestit, ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa një tjetër person, me iniciale K.B., është plagosur rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Rajonal të Pejës.

Banorët e zonës kanë treguar për momentet e para pas aksidentit dhe kanë shprehur tronditjen e tyre për këtë humbje, duke kërkuar që autoritetet të zbardhin plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Ndërkohë, Gjesti, fituesi i edicionit të fundit të Big Brother VIP Albania, ende nuk ka reaguar publikisht. Gjatë kohës së qëndrimit të tij në shtëpinë më të famshme në vend, ai kishte treguar shpesh për lidhjen e ngushtë me vëllain e tij, i cili sot nuk jeton më.