“My Heart Will Go On”, rreshti i mësipërm nga hiti më i madh i karrierës së Celine Dion do të bëhej motoja e jetës së saj të turbullt. Një jetë e cila u shënua nga triumfe të mëdha profesionale por edhe disa tragjedi personale, të cilat ajo vetë përpiqet çdo herë t’i përballojë me forcë.

Megjithatë, fati e ka goditur edhe një herë dhe qëndrueshmëria e saj po testohet sërish pasi siç ka treguar sot, së fundmi po lufton me një çrregullim të rrallë neurologjik, sindromën e njeriut të ngurtë. (Stiff Person Syndrome-SPS), për shkak të të cilit ajo u detyrua, pas urdhrave të mjekëve të saj, të anulonte turneun e saj evropian të planifikuar për verën e vitit 2023.

Duket qartë e tronditur dhe e paaftë për të mbajtur lotët, këngëtarja e njohur kanadeze 54-vjeçare ka ndarë me miliona fansat e saj kudo, përmes një videoje, sfidën e saj të re.

“Siç e dini, unë kam qenë gjithmonë një libër i hapur dhe nuk kam qenë gati të them asgjë më parë, por jam gati tani,”- tha ajo me ngarkesën e fortë emocionale të dukshme në vështrimin e saj përpara se të zbulonte pak më vonë se vuante nga sindroma që prekte 1/1,000,000. Ajo e mbylli rrëfimin e saj personal publik duke bërë një premtim, publikut dhe vetes, duke thënë: Po bëj gjithçka që të shërohem.

E megjithatë, pas kësaj karriere të madhe, magjepsjes, parave, çmimeve dhe performancave mbresëlënëse live, fshihet një grua që fare mirë mund të cilësohej si një “heroinë tragjike”. Si më e vogla nga 14 fëmijët në familjen e saj, Celine, e cila mori emrin e saj nga kënga me të njëjtin emër të këngëtarit francez Hugues Aufray. Vitet e saj të adoleshencës ishin të vështira. Figura e saj e gjatë dhe dhëmbët e saj të shtrembër e vendosën në vëmendje të shokëve të klasës: E urreja shkollën.

Muzika ishte i vetmi shpëtim. Ajo ishte vetëm 12 vjeç kur kompozoi dhe interpretoi këngën e saj të parë, së bashku me nënën dhe vëllain e saj, të cilët pak më vonë ia dërguan atë producentit të njohur muzikor dhe gjuetarit të talenteve të reja René Angelil, njeriu që do të bëhej protagonist i jetës së saj. Edhe pse ai ishte plot 25 vjet më i madh se ajo, ajo u dashurua thellë pas tij që në momentin e parë që e pa. Një dashuri adoleshente që u shndërrua në një lidhje dashurie kur ajo mbushi 20 vjeç, pavarësisht mosmarrëveshjeve të forta të familjes së saj, dhe u zyrtarizua me një martesë në moshën 25-vjeçare.

 

Pavarësisht se kishte gjetur dashurinë e jetës së saj, ndërsa në të njëjtën kohë karriera e saj kishte marrë hov, Celine Dion e kishte shumë të vështirë të bëhej nënë. Por nuk hoqi dorë. Pas disa aborteve, ajo vendosi t’i nënshtrohej dy operacioneve gjinekologjike në vitin 2000 për t’ia dalë mbanë. Fëmija i parë i çiftit, Rene-Charles Angelil, më në fund erdhi në jetën e tyre në janar 2001 dhe në 2010 çifti mirëpriti binjakët, Eddie dhe Nelson. Lumturia e tyre dukej se ishte e plotë. Megjithatë nuk do të zgjaste shumë.

Rene Angelil tashmë ishte përballur me disa probleme shëndetësore. Në vitin 1991, në moshën 49-vjeçare, ai pësoi një atak në zemër dhe në vitin 1999 u diagnostikua me kancer në fyt, i cili u trajtua me sukses. Megjithatë, makthi u kthye. Në vitin 2013, Celine Dion shoqëroi bashkëshortin e saj të dashur në spital për t’iu nënshtruar një operacioni për heqjen e një tumori nga qafa e tij, ndërsa pasoi një periudhë e vështirë trajtimesh.  Angelil u nda më në fund në janar 2016 duke lënë pas gruan zemërthyer dhe tre fëmijët e tyre. Vetëm dy ditë më vonë drama e saj personale do të kulmojë me vdekjen e vëllait të saj Danielit, i cili gjithashtu vuante nga kanceri.

 

Problemet shëndetësore

Megjithatë, kjo ngarkesë e madhe psikologjike pati efekte negative në shëndetin e saj. Në vitin 2018 ajo u përball me një problem serioz me dëgjimin për trajtimin e të cilit u konsiderua e domosdoshme t’i nënshtrohej një operacioni. Ndërkohë, me kalimin e kohës, figura e saj jashtëzakonisht e hollë shqetësoi shumë njerëz. Madje disa shkuan deri aty sa të flasin për anoreksi nervore, diçka që ajo e ka mohuar publikisht.

Celine Dion kishte humbur shumë peshë vitet e fundit

E megjithatë në fytyrën e saj dukej se diçka nuk shkonte. Ajo e ndjeu atë vetë pasi ndihej më e dobët çdo ditë që kalonte. Filloi duke bërë analiza të shumta dhe të specializuara. Rezultatet nuk çuan në një diagnozë të qartë. Ndërkohë ajo vetë po përkeqësohej. Derisa më në fund mjekët e saj e informuan se të gjitha simptomat e saj janë për shkak të një çrregullimi të rrallë neurologjik, Sindromës Stiff Man që prek vetëm 1 në 1,000,000! Fati i keq u shfaq sërish në fytyrën e saj dhe tani ajo po përballet me një tjetër betejë të vështirë nga e cila shpresojmë të dalë fitimtare.