Një ngjarje tragjike ka tronditur botën e televizionit amerikan dhe fansat e serialit të famshëm të animuar, “King of the Hill”. Aktori Jonathan Josh, 59 vjeç, u gjet i qëlluar për vdekje të dielën, më 1 qershor, në San Antonio, Teksas.

Policia lokale ka raportuar se aktori u gjet i plagosur rëndë pranë një rruge dhe, pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, ai ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.

Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites, dhe policia arriti të arrestojë brenda pak orësh të dyshuarin kryesor, Alvarez Seham, 56 vjeç, i cili është fqinji i aktorit dhe dyshohet se është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ai ndodhet tashmë në paraburgim nën akuzën e vrasjes me paramendim. Hetimet janë ende në zhvillim për të zbuluar motivet që çuan në këtë akt të rëndë.

Vdekja e aktorit ndodhi vetëm pak ditë para rikthimit të shumëpritur të serialit “King of the Hill” në platformën Hulu, ku Josh pritej të rikthehej në rolin e John Redcorn, personazh të cilin e kishte zëvendësuar që nga sezoni i tretë pas vdekjes së aktorit origjinal, Victor Aron, në vitin 1996. Sipas burimeve, ai kishte përfunduar një pjesë të xhirimeve dhe ishte shumë i emocionuar për rikthimin në serial.

Vetëm disa orë para tragjedisë, Josh kishte publikuar një video në “Instagram”, ku shprehte entuziazmin e tij për projektin dhe ndodhej në Austin, Teksas, për takime promovuese.

Një javë më parë, ai mori pjesë në Festivalin ATX TV, ku u shfaq në një panel së bashku me aktorët Pamela Adlon, Lauren Tom dhe shkrimtarin Saladin K. Patterson, duke folur për ringjalljen e serialit që do të ketë premierën në gusht.

Përveç rolit të tij në “King of the Hill”, Jonathan Josh ka pasur një karrierë të suksesshme në kinematografi dhe televizion, me role të rëndësishme në serialet “Parks and Recreation” (ku luante Shefin Ken Hotate), “Tulsa King”, “Ray Donovan”, si dhe në filmat “True Grit” dhe “The Magnificent Seven”.