Një grua ka humbur jetën në spital pasi u rrëzua në një koncert të këngëtarit të famshëm, Robbie Williams, në Sydney. Mediat e huaja shkruajnë se ajo ishte rreth të 70-ave dhe u rrëzua në gjatë rreshta sediljesh gjatë koncertit në Allianz Stadium dhe pësoi lëndime të rënda në kokë.

Gjithashtu bëhet e ditur se e moshuara u dërgua me urgjencë në spital ku u vendos në koma të induktuar. Ndërkohë autoritetet mjekësore konfirmuan më vonë se kishte ndërruar jetë.

Nga ana tjetër, ylli i muzikës nuk e ka komentuar ende ngjarjen në fjalë. Rikujtojmë, se së fundmi gjithashtu një fanse 23-vjeçare vdiq në një koncert të Taylor Swift në Rio de Zhaneiro pasi ra përtokë nga vapa.

Familja e së ndjerës ka thënë se po kërkon përgjigje pas raportimeve se organizatorët e koncertit i kishin ndaluar të merrnin ujë në shfaqje, pavarësisht nga kushtet e valës së të nxehtit.

Lidhur me ngjarjen e rëndë Swift reagoi duke thënë se:

“Nuk mund ta besoj që po i shkruaj këto fjalë, por me zemrën e copëtuar them se humbëm një fans sonte para shfaqjes sime. Unë as nuk mund t’ju them se sa e shkatërruar jam nga kjo”.

Në disa video të publikuara në rrjet, Swift u pa duke iu lutur stafit të stadiumit për t’u dhënë ujë pjesëmarrësve në koncert, por në stadium ka qenë shumë nxehtë dhe uji nuk është lejuar të futet nga jashtë.