Një influencër britanik ka humbur jetën në mënyrë tragjike pasi ka rënë nga një lartësi rreth 160 metra gjatë xhirimit të përmbajtjes për rrjetet sociale. Viktima është identifikuar si Lewis Stevenson, 26 vjeç, nga Derbyshire. Ngjarja ndodhi në urën Castilla La Mancha, pranë qytetit Talavera de la Reina. Stevenson ishte ngjitur në strukturë në orët e para të mëngjesit për të krijuar përmbajtje për rrjetet sociale, duke shpërfillur ndalimin e rreptë për hyrjen në këtë zonë.

Gjatë hetimit, u bë e ditur se 26-vjeçari nuk kishte asnjë pajisje sigurie. Në një moment, ai ishte ndjerë keq dhe kishte kërkuar që shoku i tij të vazhdonte përpara. Pak çaste më pas, ai ra nga lartësia dhe humbi jetën nga dëmtimet e marra në kokë.

Autoritetet lokale theksuan se ngjitja në këtë urë është rreptësisht e ndaluar për arsye sigurie dhe se zona është shndërruar ndër vite në një pikë të rrezikshme për disa krijues përmbajtjeje që kërkojnë pamje ekstreme. Hetimi përfundimtar e ka cilësuar vdekjen si aksidentale.