Tatiana Schlossberg, mbesa e ish-presidentit amerikan John F. Kennedy dhe një zë i njohur i gazetarisë mbi klimën, ka ndërruar jetë në moshën 35-vjeçare, pas një beteje me një formë agresive kanceri. Lajmi u konfirmua nga familja e saj përmes një postimi në rrjetet sociale “Tatiana jonë e bukur u nda nga jeta këtë mëngjes. Ajo do të jetë gjithmonë në zemrat tona”, thuhet në mesazhin e familjes.

Në nëntor, Schlossberg kishte bërë publike diagnozën e saj me leucemi mieloide akute, duke shkruar se mjekët i kishin dhënë më pak se një vit jetë. Sëmundja ishte diagnostikuar në maj të vitit 2024, pak kohë pasi ajo kishte sjellë në jetë fëmijën e saj të dytë.

Në një ese të botuar muajin e kaluar në The New Yorker, me titullin “A Battle With My Blood”, Schlossberg rrëfeu hapur përballjen me sëmundjen, trajtimet e rënda, përfshirë kimioterapinë dhe transplantin e palcës së kockës, si edhe frikën se fëmijët e saj nuk do ta mbanin mend.

Tatiana Schlossberg ishte vajza e diplomates Caroline Kennedy dhe dizajnerit Edwin Schlossberg. Përveç reflektimeve personale, në esenë e saj, e ndjera shprehu edhe kritika për emërimin e xhaxhait të saj, Robert F. Kennedy Jr., në krye të Departamentit amerikan të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore.