Një tragjedi e rëndë ka goditur Maldivet, ku pesë zhytës italianë humbën jetën gjatë një ekspedite në shpella nënujore në atollet Vaavu. Viktimat janë Monica Montefalcone, 51 vjeçe, biologe detare dhe profesore e njohur në Universitetin e Genovas, vajza e saj Giorgia Sommacal, 20 vjeçe si dhe Muriel Oddenino, Gianluca Benedetti dhe Federico Gualtieri.

Grupi ishte nisur për një ekspeditë zhytjeje pranë zonës Alimatha, një nga destinacionet më të njohura për zhytje në Maldive, por nuk u rikthye më në sipërfaqe. Forcat e Mbrojtjes Kombëtare të Maldiveve konfirmuan se një prej trupave u gjet brenda një shpelle nënujore në rreth 60 metra thellësi, ndërsa autoritetet besojnë se edhe katër viktimat e tjera ndodhen në të njëjtën zonë.

Hetimet paraprake po shqyrtojnë disa skenarë të mundshëm. Sipas ekspertëve, zhytësit mund të kenë humbur orientimin për shkak të errësirës dhe dukshmërisë së dobët të krijuar nga moti i keq, duke mbetur të bllokuar në labirintin e shpellës.

Një tjetër hipotezë lidhet me toksicitetin e oksigjenit, fenomen që mund të ndodhë në thellësi të mëdha kur përzierja e ajrit në bombolat nuk është e përshtatshme. Ekspertët paralajmërojnë se në këto kushte mund të shfaqen probleme neurologjike, panik dhe humbje orientimi. Autoritetet maldiviane e kanë cilësuar ngjarjen si aksidentin më të rëndë të zhytjes në historinë e vendit, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë.