Tre qen të egër afrikanë kanë realizuar një udhëtim të jashtëzakonshëm prej rreth 4 mijë kilometrash në kërkim të partnereve, duke vendosur atë që shkencëtarët e konsiderojnë distancën më të madhe të regjistruar për një gjitar tokësor afrikan me këtë qëllim. Tre vëllezërit përshkuan Zambian për rreth tetë muaj, duke lëvizur në një territor gjithnjë e më të fragmentuar nga aktiviteti njerëzor. Ata shmangën qytete të mëdha, përfshirë kryeqytetin Lusaka, si dhe zona të zhvilluara industriale.
Në vijë të drejtë, distanca mes pikës së nisjes dhe destinacionit ishte rreth 420 kilometra, por kafshët lëvizën në mënyrë të çrregullt dhe përshkuan në total afro dhjetë herë më shumë. Udhëtime të tilla njihen si shpërndarje, pasi kafshët largohen nga territori i tyre për të gjetur një partner dhe jo për të migruar sezonalisht në kërkim të ushqimit.
Qentë e egër afrikanë jetojnë në tufa dhe nuk mund të riprodhohen brenda grupit ku kanë lindur. Për këtë arsye, në moshën dy ose tre vjeç, disa prej tyre largohen për të kërkuar një partner në tufa të tjera. Në natyrë kanë mbetur vetëm rreth 6 mijë qen të egër afrikanë, duke i bërë ata një prej grabitqarëve më të rrallë të kontinentit.
Studimi tregoi edhe rreziqet e mëdha që kafshët hasin gjatë këtyre udhëtimeve. Tre qen femra ndërmorën një rrugëtim pothuajse po aq të gjatë, por udhëtimi u ndërpre pasi njëra ra në një kurth të paligjshëm. Dy nga tre femrat e gjurmuara përfundimisht ngordhën. Profesori Scott Creel, autori kryesor i studimit, tha se rezultatet japin një optimizëm të kujdesshëm, pasi tregojnë se popullatat e qenve të egër në Afrikën lindore dhe jugore mund të jenë më të lidhura nga sa mendohej. Studimi, i publikuar në revistën shkencore Ecology, nënvizon rëndësinë e krijimit të korridoreve natyrore që lidhin zonat e mbrojtura, duke u mundësuar kafshëve të lëvizin mes territoreve të ndara nga rrugët, qytetet dhe fermat.



