E ftuar sot në emisionin “Vitality Vibes” me Ilvi Begollin ka qenë Valbona Paluka, eksperte e sigurisë ushqimore. Në këtë episod në fokus ka qenë ushqimi, çfarë duhet që të kemi parasysh për ruajtjen, përgatitjen e tij dhe gjithashtu cilat janë rreziqet për konsumatorët e çdo moshe.

Siguria ushqimore ka tre shtylla kryesore. Ka operatorin e biznesit ushqimor, ka institucionet dhe konsumatorin, i cili për shumë gjëra është përgjegjës, pa i hequr asnjë vlerë detyrimeve të të dy aktorëve të tjerë. Pse? Sëmundjet me origjinë ushqimin, janë sëmundje të cilat kanë një përhapje që ne shpesh e neglizhojmë në të gjithë botën. Ka shifra alarmante, rreth 100 milionë veta në botë sëmuren nga sëmundje që kanë origjinë ushqimin të cilët kanë kontaminime, baktere apo dhe viruse. Këto bëhen shkaktarë edhe të vdekjeve. 

Në studio, Valbona ka ndarë edhe disa shifra se çfarë ndodh me Mesdheun dhe me Europën sa i përket sigurisë ushqimore dhe ndryshimit ndërmjet tyre.

Në Europë janë rreth 23 milion njerëz sëmuren çdo vit nga sëmundjet me origjinë ushqimin nga të cilët 5 mijë vetë vdesin. Kjo është një shifër e cila na jep ne panoramën që nuk është vetëm Shqipëria problem me ushqimet dhe sëmundjet me origjinë ushqimet. Është një çështje e cila botërisht ka një vëmendje dhe një peshë të madhe. Pse? Ne bashkë me ushqimin, për disa pakujdesi dhe panjohuri marrim edhe sëmundjet.