Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në SHBA, pasi tre të reja janë arrestuar në shtetin e Teksasit, të akuzuara për vrasjen e një nëne 32-vjeçare me pesë fëmijë. Viktima, Caroline “Caro” Peña, u sulmua për vdekje në mes të ditës në një rrugë të qytetit Del Rio, pranë kufirit me Meksikën. Për ngjarjen janë arrestuar motrat Kitty Mia Diaz, 21 vjeçe, Amaya “Cookie” Diaz, 19 vjeçe, si dhe shoqja e tyre, Kiandra Renee Faz, 21 vjeçe. Të treja përballen me akuzën e vrasjes.
Sipas mediave amerikane, motivi i krimit mbetet ende i paqartë dhe është pjesë e hetimeve që po zhvillojnë autoritetet. Pamjet e publikuara pas arrestimit kanë tërhequr vëmendje të madhe, pasi njëra nga të dyshuarat shfaqet duke buzëqeshur, ndërsa tjetra bën gjeste dhe flet para kamerave gjatë shoqërimit nga policia.
Sipas dëshmive të një mikeshe të viktimës, 32-vjeçarja ka tentuar të mbrohej gjatë sulmit, ndërsa pretendohet se ishte rrethuar nga tre të dyshuarat. Autoritetet nuk kanë konfirmuar ende zyrtarisht dinamikën e plotë të ngjarjes. Të tre të arrestuarat mbahen në paraburgim, ndërsa gjykata ka caktuar një garanci prej 15 milionë dollarësh për secilën prej tyre. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit vijojnë.



