Industria e filmit, ndjek shpesh trendet, që nga ndryshimet e mëdha stilistike deri te detajet më të vogla, si mënyra e emërtimit të filmave. Në vitet e fundit, në Hollywood është shfaqur një trend i ri dhe i pazakontë; filmat që kanë tituj që përfundojnë me fjalën “man”. Ky fenomen ka përfshirë pothuajse të gjitha zhanret dhe buxhetet, nga dramat deri te filmat aksion e horror. Shembujt më të njohur janë klasiket si “Rain Man”, filmi fitues i çmimeve ‘Oscar’, pastaj “The Wicker Man” si dhe e gjithë seria e superheronjve të njohur si “Iron Man”, “Spider-Man” dhe “Batman”.

Megjithatë, kohët e fundit ky trend është bërë më i dukshëm se kurrë, jo vetëm për shkak të numrit të madh të filmave të tillë, por edhe sepse shumë prej tyre janë të ngjashëm dhe lehtë ngatërrohen me njëri-tjetrin. Janë paralajmëruar gjithashtu edhe disa tituj të rinj që ndjekin të njëjtin model si “The Running Man” dhe “Wake Up Dead Man”. Ky fenomen tregon se, në industrinë e filmit, trendet gjuhësore dhe estetike mund të bëhen po aq të rëndësishme sa vetë përmbajtja e filmave.